Familjarët e Idriz Karriqi, shoferit të vrarë dy ditë më parë nga një 24-vjeçar që donte ta braktiste, kanë hapur sot dyert e mortit. Mes dhimbjes dhe lotëve, ata shprehen të tronditur nga ngjarja e rëndë. Teksa thonë se një krim i tillë nuk ishte dëgjuar në qytetin e Kavajës, të afërmit e 65-vjeçarit shprehen se gjithçka ka ndodhur për 20 mijë lekë të vjetra që ai kishte me vete dhe makinën.

Të afërmit thanë se lajmin e kanë mësuar pas mesnatës së shkuar, pas punës së kryer nga policia dhe Prokuroria e Kavajës pas denoncimit që kanë bërë familjarët e taksistit.

Qytetarë të shumtë të Kavajës i drejtohen banesës së Idriz Karriqit për t’u shprehur ngushëllime familjarëve për humbjen e rëndë, ndërsa thonë se një “krim i tillë monstruoz, i mori jetën babait të dy fëmijëve”.

65-vjeçari jetonte vetëm me bashkëshorten e tij në katin e parë të një godine në qytetin e Kavajës, ndërsa dy vajzat e tyre të martuara, jetojnë në Itali.

Idriz Karriqi vuante nga sëmundjet e zemrës, dhe vetëm vitin e shkuar i ishte nënshtruar një ndërhyrje, “bypass”, por për shkak të mungesës së të ardhurave ishte i detyruar të punonte.

Vetëm prej pak kohësh ai kishte dalë në pension, por paratë nuk i mjaftonin për të përballuar shpenzimet e përditshme.

Ngjarja
Familjarët e Idriz Karriqit kanë njoftuar policinë në datën 14, të shqetësuar për faktin se pjesëtari i familjes së tyre nuk u kthye në banesë si çdo mbrëmje.

Menjëherë pas denoncimit, policia dhe prokuroria e Kavajës nisi hetimet për ngjarjen, dhe shumë shpejt ra në gjurmën e autorit të dyshuar për ngjarjen. Një 24-vjeçar nga fshati Kryevidh i Kavajës pasi i kishte kërkuar taksistit ta çonte deri në Rrogozhinë, e kishte goditur me thikë afër fshatit Greth, dhe pasi e kishte hedhur diku në pyll, i mori makinën.

Me t’u larguar, ia shiti makinën për 300 mijë lekë të vjetra një banori të fshatit të tij, Kryevidh, i cili kishte një varrezë makinash. Ka qenë pikërisht ky i fundit ai që ka identifikuar autorin, dhe pas kësaj policia i ka shkuar në banesë 24-vjeçarit Musa Saraçi.

Gjatë marrjes në pyetje ky i fundit ka pranuar krimin, duke u shprehur se gjithçka e kishte bërë për para. Më pas i shoqëruar nga policia, ata kanë shkuar në vendin e krimit, ku edhe kanë gjetur trupin e pajetë të 65-vjeçarit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: