Nga: LEONARD OLLI* 

Ditën që mijëra qytetarë protestonin në Tiranë mbi keqqeverisjen e vendit dhe instalimin e shtetit policor, kryeministri Rama hapte papritmas për publikun bunkerin sekret antibërthamor, të ndërtuar në periudhën e regjimit komunist. Në rolin e një kuratori, kryeministri, në përpjekje për të qenë sa më larg zërit të protestës, artikuloi se qëllimi i hapjes për publikun ishte çelja e derës së një thesari të kujtesës sonë kolektive, “një thesari ku, pa as më të voglin dyshim, mund të zbulohen në vijimësi qindra mijëra copëza të një mozaiku të madh ngjarjesh, personazhesh, kontradiktash”.

Do të doja shumë të besoja në këtë synim të kryeministrit, por si në formë ashtu edhe në përmbajtje qëllimi i këtij veprimi është shumë larg së vërtetës. Mjafton përdorimi i togfjalëshit “thesar kujtese”, që të bindesh krejtësisht për të kundërtën. Se si mund të jetë thesar kujtese zbardhja e pjesëzave të kësaj periudhe gjakatare, këtë vetëm zoti Rama mund ta shpjegojë. Por kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër, edhe më e shëmtuar, ishte referimi ndaj një plage të hapur të shoqërisë sonë postkomuniste, asaj që lidhet me krimet e regjimit komunist. Me qasjen e një demagogu të dalë boje, e minimizoi vetëm te “ruajtja e misterit të dosjeve të së shkuarës të sigurimit të shtetit, ku fshihen plot të vërteta të hidhura, vazhdimësia e së njëjtës shkollë, të sunduarit mbi tjetrin, pavarësisht kostos dhe tonelatave gënjeshtare, që derdhet përditë mbi të tjerët”.
A thua se të vërtetat dhe krimet e regjimit komunist fshihen vetëm aty. A thua se hapja e një bunkeri gjigant na qenka çelësi i zbardhjes së një të shkuare kaq të errët. A thua se të rinjtë shqiptarë do të mund të kuptojnë se çfarë gjëme kaloi për rreth 50 vjet Shqipëria, duke parë bunkartin.
Jo zoti kryeministër! Jeni qëllimisht shumë larg asaj që dëshpërimisht propagandoni! Me vullnet të plotë i rrëshqisni së vërtetës, për ta terrur krejtësisht atë. Nëse edhe për një çast të vetëm do dëshironit zbardhjen e së shkuarës që ende mban peng shoqërinë tonë dhe e ngërthen dita ditës në konflikt social, do të duhet të kishin kurajën që, milionat që harxhuat për bunkerin, si zakonisht në mungesë të plotë transparence, ti kishit harxhuar për shndërrimin në muze të burgut famëkeq të Spaçit apo atë të Tepelenës. Nëse nga aty do u drejtoheshit të rinjve shqiptarë dhe gjithë shqiptarëve për brengat e së shkuarës, vetëm atëherë do të ishit një fije i besueshëm në atë që thonit.
Nëse miliona lekë të tjera, që ju po harxhoni për të festuar triumfin e diktaturës, fshehur pas çlirimit të vendit, do të përdoreshin për fillimin e një fushate kombëtare për ndërgjegjësimin rreth krimeve të kryera në emër të ideologjisë komuniste, vetëm atëherë të gjithë do të besonim se jeni ndryshe. Vetëm kur ju të shpenzonit qoftë edhe një shumë minimale që këto të vërteta të mëdha të pasqyroheshin në masmedian do të ishit sadopak i besueshëm.
Kur në vend të bisedave me fqinjët grekë për njehsimin e historisë, të përfshinit në kurrikulën shkollore trajtimin e figurës së Enver Hoxhës si një diktator i pashpirt dhe periudhën e sundimit të tij, si një nga diktaturat më të egra të shekullit të XX në Europë, vetëm atëherë do të ishit paksa i besueshëm.
Vetëm kur në fjalën tuaj do të deklaronit se do të ndërmerrnit hapa seriozë ligjorë për hetimin e gjykimin e krimeve dhe viktimave të shkaktuara nga gjenocidi komunist, vetëm atëherë do ishit një fije i vërtetë.
Vetëm kur në vend të demagogjisë mbi dosjet, do të premtonit se do të miratonit Ligjin e Lustracionit dhe bërjen publike të të gjitha dokumenteve që dëshmojnë krimet e regjimit komunist, përfshirë dosjet e ish-institucioneve të përndjekjes dhe dënimeve politike, prokuroritë, gjykatat dhe komitetet e dëbim-internimeve, për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qendrore e vendore, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara, atëherë do të kishit të drejtën morale dhe qytetare të flisnit edhe për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Por ju nuk doni ta bëni këtë, se nëse do të donit do të kishit votuar 5 vite më parë këtë ligj në Parlament.
Vetëm kur ju dhe partia që ju drejtoni të shpreheshit qartazi, hapur, pa asnjë hezitim dhe zyrtarisht se distancoheni nga regjimi totalitar komunist, nga “lufta e klasave” dhe “diktatura e proletariatit”, si dhe krimet e Enver Hoxhës dhe klikës së tij, duke i dënuar ato pa asnjë mëdyshje e të kishit votuar Rezolutën në vitin 2006, ju lind e drejta morale të hidhni baltë mbi qeveritë paraardhëse.
Vetëm nëse do të dënonit zyrtarisht dhe ndalonit me ligj simbolet e regjimit komunist dhe zyrtarisht të pranoni se diktatori Enver Hoxha ishte ideatori, frymëzuesi, drejtuesi dhe zbatuesi i sistemit më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore, që çoi në izolimin dhe varfërimin absolut të Shqipërisë, do të kishit të drejtën morale, që në cilësinë e kryeministrit të bënit art me bunkerët dhe shtëpitë e gjetheve.
Kujtesa jonë kolektive nuk lebetitet se disa të marrë nxjerrin rrugëve foton e një sadisti që terrorizoi për gjysmë shekulli Shqipërinë, por prej faktit se pas tyre fshiheni ju zoti kryeministër. Po përpiqeni në mënyrë diabolike të luani me gotën gjysmë plot a gjysmë bosh, të fshihni ajsbergun e krimit komunist, duke hedhur tymuesen e radhës, ndërkohë që ministrat dhe deputetët tuaj nderojnë me grusht para portreteve të diktatorit, sepse jeni të lidhur shpirtërisht me diktaturën. Kaq shumë e trashët zullumin sa edhe vetë ambasadori i ShBA-ve u detyrua të denonconte publikisht përpjekjet tinëzare për rehabilitimin e figurës dhe epokës së tij.
Ju jo vetëm që nuk i keni mbyllur hesapet me Enver Hoxhën, por as nuk i keni hapur fare. Dhe këtu sado diabolik të tregoheni nuk mund t’i hidhni hi syve asnjë shqiptari. Sot e gjithë ditën, sikundër ju pëlqen të shpreheni shpesh, të gjithë e dimë se kur ka hall, djalli i referohet biblës. E nëse kjo është shkolla juaj e re, mbajeni për vete se shqiptarëve nuk ju hyn aspak në punë.
Zoti kryeministër, diktatura komuniste vrau si kundërshtarë politikë 5500 persona, burgosi rreth 30 mijë vetë e internoi rreth 60 mijë persona për motive politike. Ndërkohë që rreth 4500 të tjerë janë të zhdukur dhe ende nuk kanë një varr ku të prehen. Diktatura vrau dhe burgosi 310 klerikë dhe besimtarë dhe shkatërroi 220 institucione fetare. Pushkatoi 95 shqiptarë të Kosovës, dhe 64 shtetas të huaj, si dhe burgosi 1 mijë e 250 persona me kombësi joshqiptare, mes të cilave 38 zonja nga shtete të tjerë, por ju nuk thatë asnjë fjalë të vetme për këtë.
Kur ju zoti kryeministër dhe forcat politike që përfaqësoni të merrni kurajën të nxirrni para drejtësisë përgjegjësit dhe ekzekutuesit e këtij gjenocidi të paparë ndaj bashkëkombësve, vetëm atëherë do të ishit fare pak i vërtetë. Vetëm atëherë mund të guxonit për të bërë art dhe turizëm postkomunist. Diabolizmi dhe cinizmi nuk ju shpëtojnë nga gjykimi i shqiptarëve dhe i kohës. Shqiptarët nuk harrojnë dhe do ta zbardhin të vërtetën, doni apo nuk doni ju!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: