GJIROKASTER– Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka marrë pjesë në hapjen e sezonit turistik në Gjirokastër, ku ka folur edhe për rekomandimin pozitiv të KE për negociatat. Në një prononcim për gazetaren Brikena Metaj, Ilir Meta tha se me bashkëpunimin e të gjithëve mendon se do ketë një rekomandim pozitiv në qershor.

“Besoj se janë të gjitha mundësitë deri në qershor duke u përqendruar të gjithë në ato kërkesat, të cilat dihen se kanë të bëjnë me përparësitë kyçe të këtij procesi. Duke bashkëpunuar të gjithë, jam i bindur se është tërësisht e mundshme që rekomandimi pozitiv i Komisionit Evropian të shoqërohet nga një vendim pozitiv i Këshillit të vendeve anëtare”, ka qenë një pjesë e prononcimit të Metës për negociatat.

Prononcimi i plotë

Dy fjalë në fillim për sezonin turistik dhe praninë tuaj në Gjirokastër, ju lutem?

Kënaqësi e jashtëzakonshme që jam në Gjirokastër. Është e jashtëzakonshme, sepse gjithmonë ka zhvillime të reja, pozitive dhe ngaherë ka rritje të interesit për Gjirokastrën, e cila është shndërruar në një magnet për turistët vendas e të huaj. Jam i bindur se edhe ky sezon turistik që sapo është çelur, do të jetë mjaft i suksesshëm dhe duket tepër premtues, sepse sot kemi takuar përveç qytetarëve, edhe shumë turistë të huaj, të cilët sapo kanë ardhur dhe të cilët paralajmërojnë një sezon të suksesshëm e tepër të mbarë turistik.

Ajo që doja të doja të theksoja sot në mënyrë të veçantë është një vëmendje më e madhe për të ruajtur vlerat muzeale, kulturore e historike të jashtëzakonshme që ka Gjirokastra, nga rreziku i degradimit dhe i shkatërrimit. Në këtë drejtim është shumë i rëndësishëm një bashkëveprim dhe koordinim i të gjitha institucioneve vendore e qendrore, një mbështetje më e madhe, pasi këto janë vlera të papërsëritshme e të parikthyeshme. Dhe sot, më shumë se asnjëherë tjetër duhet vepruar edhe me më shumë energji, me më shumë angazhim dhe mbështetje, në mënyrë që t’ua lemë si trashëgim edhe brezave të ardhshëm. Pasi janë edhe një burim mirëqenie, përveç se një arsye e fortë për të rritur krenarinë e gjirokastritëve dhe të gjithë shqiptarëve.

Mendoni se nuk e ka marrë vëmendjen e merituar përgjatë këtyre viteve të fundit?

Mendoj se në Gjirokastër janë bërë mjaft ndryshime dhe zhvillime pozitive, por ka një prapambetje të konsiderueshme do të thoja të reagimit në kohë, të planifikuar, afatgjatë, në planifikimin e këtij degradimi, prandaj duhet edhe më shumë përqendrim, koordinim, bashkëveprim dhe mbështetje, sot edhe në të ardhmen, sepse e theksoj se janë vlera që nuk mund të rikthehen apo nuk mund të mbrohen më vonë.

Zoti Meta, si i konsideroni lëvizjet e fundit në Prokurori? Sipas jush, a janë lëvizje politike?

Nuk kam asnjë koment përveç sezonit turistik, i cili ka filluar shumë mbarë si në Skrapar, Përmet, edhe sot në Gjirokastër.

Po për integrimin e Shqipërisë? Mendoni se do të marrë dakordësinë e vendeve të Bashkimit Evropian?

Besoj se janë të gjitha mundësitë deri në qershor duke u përqendruar të gjithë në ato kërkesat, të cilat dihen se kanë të bëjnë me përparësitë kyçe të këtij procesi. Duke bashkëpunuar të gjithë, jam i bindur se është tërësisht e mundshme që rekomandimi pozitiv i Komisionit Evropian të shoqërohet nga një vendim pozitiv i Këshillit të vendeve anëtare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: