Prestigjiozja “The Economist” i ka kushtuar një artikull Kosovës dhe hipotezës së hedhur së fundmi për shkëmbim territoresh me Serbinë. Artikulli në fjalë analizon rastet e shkëmbimeve të banorëve në Ballkan dhe të kaluarën e Kosovës e Serbisë në këtë këndvështrim.
Sipas analizës, një shkëmbim territoresh në Ballkanin perëndimor mund të sjellë pasoja të mëdha.
“Ashtu siç funksionon në përgjithësi në BE, ulja e peshës së kufijve kombëtar do të dukej më e zgjuar se sa rivendosja e tyre, dhe sipas fjalës së një zyrtari të lartë në BE-së, ‘hapja e portave drejt ferrit'”, thuhet në artikull.

ARTIKULLI I PLOTË
Vështirësitë e shkëmbimit të territorit në Ballkan. (tit. origjinal)
Nëse Kosova dhe Serbia shkëmbejnë toka, procesi nuk përfundon aty.
Para 10 vitesh Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia. Shqiptarët e saj, që përbëjnë shumicën e popullsisë kanë festuar gjatë këtyre ditëve, por serbët e Kosovës, shumica e të cilëve jetojnë në territoret e saj nuk festuan, shkruhet në një artikull të “The Economist”.
Serbia nuk e njeh Kosovën, e cila dikur ka qenë provinca e saj jugore dhe serbët e Kosovës akoma e konsiderojnë veten e tyre si qytetarë të Serbisë.

Situata është tipike për rajonin e Ballkanit ku kufijtë janë një rrëmujë. Ka serbë që jetojnë në Kosovë dhe Bosnjë- Hercegovinë, ku ata kanë republikën e tyre (Republika Srpska), shqiptarë dhe boshnjakë (myslimanë) që jetojnë në Serbi dhe grekë që jetojnë në Shqipëri.
Kohët e fundit autoritetet serbe propozuan një diskutim rreth shkëmbimit të territorit me homologët e tyre shqiptarë të Kosovës?
Por a është kjo një ide e arsyeshme?

Në 1923 Greqia dhe Turqia ranë dakord të shkëmbejnë rreth 2 milion banorë. Shumë qytetarë ortodoksë që flisnin greqisht nga Turqia u dërguan në Greqi dhe myslimanë nga Greqia u dërguan në Turqi. Ishte një zhvendosje brutale por që atëherë Greqia dhe Turqia nuk kanë qenë në luftë. Vendi i vetëm ku grekët dhe turqit kanë luftuar është Qipro, ku popullsia mbeti e përzier.

Kjo ka frymëzuar nacionalistët në Ballkanin Perëndimor. Nga viti 1918 dhe deri në fund të viteve ‘50, shumë myslimanë u nxitën të linin Jugosllavinë për Turqinë. Megjithatë në kohën e rënies së Jugosllavisë në vitet ’90, rajoni kishte akoma një popullsi të përzier. Udhëheqësit në ato lufta jugosllave i panë spastrimet etnike si mënyrën më të mirë për të krijuar shtete të reja pa minoritetet e bezdisshme. Deri në vitin 1995 rajonet e Kroacisë, historikisht të populluara nga serbët ishin bosh, dhe qindra mijëra serbë, kroatë dhe boshnjakë ishin nxjerrë nga shtëpitë e tyre në mënyrë të ngjashme në Bosnjë. Por vendet që dolën nga sistemi nuk përfshinin me kujdes serbët, shqiptarët, kroatët dhe të tjerë. Shumë serbë mund të jenë larguar nga Kosova pas luftës por rreth 120,000 kanë mbetur po aty.
Sakaq autoritetet serbe duan të diskutojnë shkëmbimin e pjesës veriore të Kosovës, të banuar kryesisht nga serbë, me pjesën e juglindore së saj, të banuar kryesisht nga shqiptarë.

Përkrahësit e një “hartimi të tillë” thonë se shtetet multi-etnike kanë dështuar në rajonin e Ballkanit por ata injorojnë faktin që sapo qeveritë fillojnë këtë rrugë, procesi nuk ka një fund të dukshëm dhe harrojnë çështjet e të drejtave të njerëzve të përfshirë.
Nëse Kosova dhe Serbia fillojnë bisedimet serioze rreth rivendosjes së kufijve të tyre, ndikimi në komunitetet e Ballkanit, përveç atyre në pjesët e ndikuara të Kosovës dhe Serbisë, mund të jetë shumë i madh. Liderët serbo-boshnjakë do të mbanin një referendum për të ardhmen e Republikës Srpska; kroatët boshnjakë do të ndiqnin shembullin e tyre; dhe boshnjakët pastaj do luftonin të ndalonin ndarjen e shtetit të tyre të përbashkët.

Në kufi Serbia do shtypte nacionalistët boshnjakë në Sanxhak, të cilët ëndërrojnë ta përfshijnë rajonin në Bosnjën e Madhe. Ndërkohë shqiptarët në Maqedoninë perëndimore dhe Malin e Zi do kërkonin t’i bashkoheshin Shqipërisë së Madhe. Përkrahësit e një ideje të tillë gjithashtu do donin të përfshinin pjesë të Greqisë veriore, ndërkohë që nacionalistët grekë do kërkonin pjesë nga Shqipëria jugore.
Ironia pas një shkëmbimi të tillë është se shumica e serbëve të Kosovës aktualisht jetojnë në territoret e jugut të Kosovës, kështu që marrëveshja nuk do t’i lejonte të jetonte në Serbi, dhe ndoshta do t’u duhej të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Por zyrtarët serbë mund të jenë më pak të shqetësuar për bashkatdhetarët e tyre sesa për ndërmarrjen e hapave drejt njohjes së Kosovës, gjë që në këtë mënyrë ua bën më të lehtë hyrjen në Bashkimin Evropian. Ndoshta nuk i shqetëson fakti që një shkëmbim territoresh në Ballkanin perëndimor mund të sjellë pasoja të mëdha.
Nacionalistët hungarezë, në fund të fundit, mbeten të pakënaqur me humbjen e Transilvanisë në Rumani, ndërsa nacionalistët rumunë do dëshironin të rivendosin kufijtë e tyre në Moldavi.
Prandaj ekziston një arsye që “Ballkanizimi” ka një emër të keq. Ashtu siç funksionon në përgjithësi në BE, ulja e peshës së kufijve kombëtar do të dukej më e zgjuar se sa rivendosja e tyre, dhe sipas fjalës së një zyrtari të lartë në BE-së, “hapja e portave drejt ferrit”.

Përktheu për BalkanWeb: Aleksandra Kola

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb