KOSOVË- Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se protestat për shkarkimin e ministrit serb Aleksandar Jabllanoviç dhe kthimin e ligjit për Trepçën në parlament do të vijojnë por se është kundër akteve të dhunshme.

Haradinaj foli pas takimeve me ambasadoren amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson dhe ambasadorin britanik Ian Cliff, për të cilat tha se kishin karakter konsultativ. Ai tha se takimi ishte konsultim i vazhdueshëm dhe se është shprehur shqetësimi për dhunën që ka ndodhur në protestën e djeshme.

“Është një dhunë që i ka shqetësuar njerëzit. Kjo dhunë veç sa i shtohet shqetësimeve që i kanë qytetarët dhe kërkesave legjitime që i kanë qytetarët”, ka thënë Haradinaj për televizionin publik. “Pra ne në parim jemi kundër dhunës, nuk përkrahim dhunë, nuk përkrahim akte të dhunshme nga askush në Kosovës, por nuk heqim dorë nga kërkesat e drejta të qytetarëve si e drejtë e jona dhe do të vazhdojmë me protesta”, ka shtuar më pas ai.

Ndërkohë po mbrëmë kreu në ikje i Lëvizjes Vetëvendosje, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj si dhe kreu i Nismës Fatmir Limaj, patën një takim ku vendosën vijimin e protestave.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb