KOSOVE-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se do të bëhet transformimi i FSK-së, me apo pa ndryshime kushtetuese.

Haradinaj ka thënë se vendimi për transformimin e FSK-së është proces politik.

“Marrja e votës është një proces politik edhe jam thellë i bindur se nëse jo përmes bazës kushtetuese, atëherë përmes avancimit të bazës ligjore do të ndodhë transformimi i FSK-së në ushtrinë e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj.

Kryeministri ka thënë se “nuk mund të pritet pakufi” për të ndodhur ky proces.

“Transferimi i FSK-së në ushtri nuk nënkupton marrje të detyrave të KFOR-it. KFOR-i është forcë paqësore, është një mandat i NATO-s, ne e respektojmë”, tha ai.

Gjatë ditës, Haradinaj ka pritur në një takim ambasadorët e akredituar në Kosovë me të cilët ka diskutuar për këtë çështje.

Prej kohësh institucionet e Kosovës janë duke paralajmëruar transformimin e FSK-së përmes ndryshimeve ligjore porse komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht e ka kundërshtuar këtë propozim.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, krijimi Forcave të Armatosura mund të bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese përkatësisht me dy të tretat e votave të Kuvendit të Kosovës duke përfshirë edhe dy të tretat e votave nga deputetët që përfaqësojnë komunitetet pakicë në Kuvend.

Ky transformim është kundërshtuar në mënyrë kategorike nga përfaqësuesit e Listës Serbe, çka e ka komplikuar gjithë procesin e transformimit.

Në vitin 2017 Kosova ka marr një iniciativë për ta krijuar ushtrinë vetëm me ligj dhe pa ndryshime kushtetuese, por kishte hasur në kundërshtime të ashpra nga SHBA dhe NATO./REL.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: