Kryeministri Ramush Haradinaj, ka folur sot në një konferencë për media në qeveri lidhur me platformën e dialogut me Serbinë, për tërheqjen e saj nga Kuvendi. Ai ka thënë se platformën e ka tërhequr që të mos ndikojë keq te gjetja e unitetit, por sipas tij ata që e kanë kundërshtuar platformën, hall kanë pasur se kush po bëhet pjesë e delegacionit. Ndërsa për tërheqjen e tij nga dialogu me Serbinë, Haradinaj e ka pranuar se Thaçi është më i mirë. Por, sipas tij, duke punuar kryeministri brenda, presidenti do ta ketë shumë më lehtë t’i mbrojë interesat e shtetit atje në tavolinë.

“Unë nuk jam për zgjidhje të këqija, por fakti që me iu frikësuar një zgjidhje të keqe, duke ikë nga përfaqësimi i të drejtës tënde, kjo i bie sikur të ikësh nga vetvetja. Sa i përket kritikave se jam tërhequr nga dialogu, kjo është e vërtetë se nuk jam ndonjë specialist i dialogut me Serbinë. E pranoj këtë si të metë t’timen, por e ndihmojë dialogun duke e ndihmuar edhe fuqizimin e Kosovës brenda, shtetin. Nëse e forcojmë substancën brenda, kushdo që më përfaqëson mua në tavolinë, atje del më i zoti, dhe është më mirë për të gjithë ne pastaj”. Haradinaj ka folur edhe për formulën se si duhet të përfaqësohet Kosova në këtë fazë të fundit të dialogut me Serbinë, shkruan express.

“Është më mirë të kuptohet se janë momente të rëndësishme strategjike të vendit tonë, s’ka lidhje fort se qysh e ka emrin ky apo ai, por të jemi bashkë në tavolinë. Dhe bindja ime është se duhet të ketë një ekip politike ku janë institucionet e vendit, presidenti, kryeministri, kryeparlamentari, kryetarët e partive politike parlamentare. Gjithashtu të kemi një grup strategjik me ekspertë të partive, e njëkohësisht të kemi edhe mekanizmin ekzistues të dialogut që e udhëheq zoti Arifi. Këtë e them, se si do që të shkojnë këto dinamika, kjo është temë e krejt Kosovës”.

“Unë e kam tërheq platformën që të mos bëhem pengesë në arritjen e këtij konsensusi politik. Në fakt ata që e kanë kritiku platformën nuk e kanë pasur hallin te përmbajtja. Neni numër nëntë i platformës ka thënë se vendimet i merr Parlamenti. Pra ashtu siç i takon pronësia në këtë çështje, ashtu e kemi lënë, pra te Parlamenti, dhe unë nuk ja kam dhënë këtë Presidentit. Është gabim se si janë qasë atëherë, dhe shpresoj që të mos bëhet pengesë emri i ndonjërit prej neve, që të humbim si Kosovë. Besoj se ata që e humbin hapin, e humbin për vete dhe jo në dëm të tjetrit”, ka thënë Haradinaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: