KOSOVË- Ramush Haradinaj u zgjodh dje kryeministër i Kosovës, nga një marrëveshje edhe me deputetët e Listës serbe. E me sa duket kjo gjë është lajm i mirë për Beogradin zyrtar.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuric, ka thënë se Qeveria e re e Kosovës, është qeveria e parë që do të jetë e varur nga votat serbe dhe nuk do të mund të ekzistojë në qoftë se serbët keqtrajtohen në aspektin politik.

Gjuric, duke folur në TV “Pink”, ka përkujtuar se serbët do të kenë 10 deputetë dhe tri ministri, një më shumë se herët e tjera, dhe se serbët në Kosovë asnjëherë deri tani nuk kanë pasur një fuqi të tillë politike.

Sipas tij, ky është rezultat i bashkimit dhe të veprimit në koordinim me shtetin e tyre.

Gjuric ka theksuar se kjo është e rëndësishme për përmirësimin e pozitës së serbëve në Kosovë, duke theksuar se marrja e Ministrisë së Bujqësisë është shumë e dobishme për serbët, sepse 85 për qind prej tyre jetojnë në fshat dhe merren me bujqësi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb