FRANCE- Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka komentuar sot arrestimin e tij në Francë, në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004.

Në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’ Haradinaj, i cili edhe pse fitoi sot lirinë me kusht, ndodhet ende në Francë, Haradinaj pohoi se nuk ka pse të ndodh një ekstradim i tij në Serbi. Ai shtoi se arrestimi i tij është krejtësisht politik, ndërsa akuzoi Francën se po abuzon me situatën e tij.

“Do qëndroj në Francë deri në mbylljen e procesit. Arrestimi im jo ligjor, është krejtësisht politik. Nuk ka pse të ndodhë ekstradimi im në Serbi. Burimi i këtij rasti është krejtësisht politik. Franca po abuzon me situatën time. Serbia nuk ka juridiksion mbi shtetasit e Kosovës. Mobilizimi i shqiptarëve më bëri të ndihem krenar”, tha Haradinaj.

Gjykata në Colmar të Francës vendosi përveç lirimit me kusht se Haradinaj nuk duhet të largohet nga Franca, për arsye se duhet të paraqitet 2 here ne gjykate. Ndërkohë, Serbia bëri kërkesën, për ta ekstraduar, madje do ta dërgojë edhe të plotësuar, sipas ministrres serbe e Drejtësisë, Nela Kuburoviç. Ajo ka thënë se Serbia e kërkon Haradinajn për “Krime lufte ndaj popullatës civile gjatë vitit 1999”, akuza këto për të cilat Haradinaj, thotë ajo, nuk është gjykuar në Hagë.

Në kërkesën për ekstradimin e Haradinajt, dërguar të martën, është paralajmëruar se do të ketë fakte shtesë, të cilat para se gjithash kanë të bëjnë me urdhëresën për zgjerimin e hetimeve kundër Haradinajt me fakte të cilat janë mbledhur, ka thënë Kuburoviç. Por edhe Kosova ka kërkuar që Haradinaj të lirohet me kusht duke mos e bërë të mundshëm ekstradimin e tij nga Franca në Serbi.

Zoti Haradinaj, në mediet serbe është njoftuar se prokuroria serbe për krime lufte ka ofruar prova të reja kundër jush. A jeni i njohur me këto prova nëse prokuroria serbe vërtetë i ka paraqitur ato?

Proceset gjyqësore lidhur me rastin tim në Tribunalin e Hagës, kanë filuar në vitin 2005. Aktakuza e mbramë e amendamentuar ka hyrë në fuqi në vitin 2011. Do të thotë, që nga 1999 deri në vitin 2011, po të kishte pasur prova çfarëdo qoftë, Serbia apo kushdo qoftë, kanë qenë të mundshme të shqyrtohen. Nuk kanë lënë asnjë provë, asnjë informatë, jo vetëm Serbia, por askush tjetër lidhur me mua pa e prezantuar në gjykatë. Të gjitha ato prova të shqyrtuara kanë rezultuar me vendimin e gjykatës, shpallje të pafajshëm. Kjo është tani vetëm një lojë politike e Beogradit. Lojë politike, që për fat të keq e përkrahu edhe Franca.

Zoti Haradinaj, çfarë pritet të ndodhë tani? Cili do të jetë hapi tjetër?

Unë jam i liruar nga mbajtja në arrest. Por, duhet të qëndroj në Francë deri në përmbylljen e procedurave dhe deri në një vendim të gjykatës lidhur me këtë çështje. Këtu duhet të theksojë se e gjithë kjo është një cirk, e thashë edhe në gjykatë, një cirk ligjor, nuk ka të bëjë me ligjin, është krejtësisht politike dhe është krejtësisht abuzim ligjor. Meqenëse, aktakuza nga Serbia daton në vitin 2004 dhe proceset gjyqësore për mua kanë filluar në vitin 2005 dhe deri në vitin 2011 kanë vazhduar, do të thotë unë jam shpallur i pafajshëm në nëntor të vitit 2012. Pra, ardhja me këto shkresa të tilla, është abuzim dhe ndalimi im në bazë të urdhër arrestit të vitit 2004, është abuzim. Gjermania e ka hedhur poshtë, Austria e ka hedhur poshtë, Zvicra e ka hedhur poshtë, ndërsa është e habitshme qasja e autoriteteve franceze ndaj kësaj kërkese të Serbisë.

A jeni i shqetësuar për mundësinë që të ekstradoheni në Serbi?

Kjo nuk ndodhë. Nuk ka si të ndodhë. Unë jam i Kosovës. Serbia nuk ka juridiksion mbi mua as mbi Kosovën. Përgjigjen ja kemi dhënë me luftë Serbisë në vitin 1999, pra zotit (Slobodan) Millosheviç, regjimit të tij. Në atë kohë, zoti (Ivica) Daçiç ka qenë një shërbëtor i zotit Millosheviç, po ashtu (Aleksandër) Vuçiç, shërbëtor i zotit (Vojislav) Sheshel. Nëse ata nuk ndërrojnë qasje, nuk po e ndihmojnë paqen në Ballkan, por, po e destabilizojnë Ballkanin me këto lojëra të tyre politike që janë krejtësisht të padrejta.

Zoti Haradinaj, nga pikëpamja procedurale, a ka qenë procesi profesional sa duhet, apo ka vonesa që ju mund t’ju duken të qëllimshme?

S’ka asgjë profesionale në këtë rast, sepse burimi i këtij rasti është krejtësisht politik. Një gjykatë në Angli ka hedhur poshtë një kërkesë të tillë duke e quajtur abuzim nga Serbia dhe duke i quajtur këto aktakuza politike. Vende respektabile, po ashtu anëtare të INTERPOL-it e të EUROPOL-it si Gjermania, Austria e Zvicra, i kanë hedhur poshtë, Franca po abuzon me mua dhe me situatën me mua.

Atëherë si e gjykoni ju rolin e Francës në arrestimin tuaj, një vend që e ka mbështetur pavarësinë e Kosovës dhe që në të kaluarën nuk ka ngritur ndonjë problem të veçantë lidhur me akuzat që qenë bërë ndaj jush?

Shikoni. Franca është themeluese e Tribunalit të Hagës për ish Jugosllavinë. Ka pasur gjyqtarë, prokuror, hetues. Franca është pjesë e gjithë mekanizmave ndërkombëtar në Kosovë. Të gjithë këta e dinë se Serbia nuk ka juridiksion mbi Kosovën nga 99-ta sepse juridiksioni ka kaluar tek OKB-ja me Rezolutën 1244 dhe nga 2008-ta jemi shtet i pavarur dhe Serbia s’ka asnjë juridiksion mbi shtetasit e Kosovës. Shtuar kësaj edhe faktin se jam në posedim të pasaportës diplomatike të Republikës së Kosovës si kryeministër.

Zoti Haradinaj, a mendoni se protestat e shqiptarëve kundër arrestimit tuaj mund të çojnë në përplasje serioze mes Kosovës dhe Serbisë?

Shiqoni. Shqiptarët kanë treguar se janë popull i mirë. Janë popull i drejtë e i dashur edhe liridashës, por nuk lejojnë të padrejta. Mobilizimi i shqiptarëve ngado që janë, më ka bërë të ndjehem aq krenar saqë vërtetë besoj se e drejta është për shqiptarët dhe kanë perspektivë. Kjo është një lojë e ultë. Kushdo që ka marrë pjesë në këtë lojë të ultë, filluar nga Beogradi e të tjerët, kanë me dalë të turpëruar në këtë lojë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: