KOSOVË- Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, takoi sot një delegacion të përfaqësuesve politikë të Medvegjës, që do të organizojë zgjedhje këtë të dielë, me të cilët bisedoi për aktualitetin politik dhe për problemet në prag të këtyre zgjedhjeve.

Mesazhi kryesor që ka dalë nga takimi, është se detyrimi më i rëndësishëm qytetar për të gjithë banorët e Medvegjës, duke përfshirë edhe ata që aktualisht jetojnë në Kosovë, është pjesëmarrja në votimet e së dielës.

Pjesëmarrja sa më e madhe në zgjedhjet komunale në Medvegjë, nënkupton përcaktim për më shumë të drejta të shqiptarëve në pushtetin e kësaj komune, që do të dalë nga zgjedhjet e së dielës, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Ndërkohë takimi vjen një ditë pasi udhëheqësit e Luginës së Preshevës vendosën të krijojnë Asociacionin e Komunave me shumicë shqiptare, Presheve, Metvegjë e Bujanovc, njësoj si Asociacioni serb në Kosovë. Por ky vendim i tyre, u kundërshtua me forcë nga Ministri i Jashtëm serb, Dacic, i cili madje i paralajmëroi të mos luajnë me zjarrin.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: