TIRANE- Qeveria shqiptare do të zbatojë një projekt për dixhitalizimin e shërbimeve për qytetarin, përmes së cilit pritet të ulet niveli i korrupsionit në administratë.

Ministrja e Inovacionit, Milena Harito deklaroi të hënën se projekti i ofrimit të shërbimeve publike me në qendër qytetarin, synon realizimin e një transformimi të rëndësishëm në mënyrën se si qytetarët marrin shërbimet nga institucionet qendrore publike.

Duke prezantuar në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave marrëveshjen e huasë me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “ofrimi i shërbimeve publike me në qendër qytetarin”, Harito tha se kjo reformë zhvillohet në kuadrin e prioritetit për mirëqeverisje inovative të qeverisë shqiptare.

Sipas saj, rezultatet e saj parësore kanë të bëjnë me rritjen e cilësisë së shërbimit, të transparencës dhe efiçencës, duke shfrytëzuar zgjidhje inovative dhe teknologjinë e informacionit. Ajo bëri të ditur se implementimi i projektit do të ndikojë edhe në uljen e korrupsionit në administratë.

Sipas një studimi të hartuar nga Ministria e Inovacionit, aktualisht qytetarët shqiptare marrin nga administrata shtetërore mbi 1400 shërbime. Ky numër përfshin shërbimet publike në nivel lokal dhe qendror.

Modeli i ri i ofrimit të shërbimeve do të bazohet në disa premisa, si shkurtimin në mënyrë drastike, të kohës së përftimit të shërbimit për qytetarët dhe bizneset; elimiminin e nevojës së paraqitjes fizike dhe të shumëfishtë në zyra të ndryshme të institucioneve qendrore, të shpërndara në territor; ndarjen e detyrave të marrëdhënies me qytetarin nga ajo funksionale e dhënies së shërbimit; shërbimin ndaj qytetarit në bazë të standardeve të shërbimit ndaj klientit; mundësinë e rritur që qytetari të vetëshërbehet.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: