Nga Monika STAFA
Përqasje mendimi i fenomenit në median online dhe jo vetëm. Fjala e urrejtjes” është një dukuri publike në Shqipëri e në Ballkan. Ajo sundon shtypin, median, multimedian, botimet, madje edhe një pjesë të letërsisë dhe arteve. “Hate speech” e ka këtë fuqi in media res për arsye historike-kulturore dhe politike-civile. Cilat janë ato? Së pari demonizimi i “tjetrit”, kryesisht fqinjit, është një prej burimeve të “hate speech”. Kjo vjen prej kohësh shumë të mjegullta. Në eposin shqiptar kreshniku betohet se “shtatëqindvjet do t’ia djegë kullat” kundërshtarit të vet, krajlit shkja (sclavus, sllav) të Jutbinës. Kjo urrejtje mitologjike sundon eposet e dy popujve fqinjë. Ata që janë heronj te njëri popull janë antiheronj te tjetri. Ky nuk është një fenomen i izoluar ballkanas. Midis popujve të këtij rajoni ka pasur luftë dhe paqe, por luftë 100-vjeçare si në Europë nuk ka pasur. Nuk ka pasur as doktrina të urrejtjes gjenetike, si “Final Solution” i “Mein Kampf”. Por merita e Perëndimit është se e ka ekzorcuar kujtimin e këtyre luftërave dhe e ka shuar urrejtjen.

1. Traktatet kombëtare të një pjese të popujve të Ballkanit u ndërtuan si “mite në dëm të tjetrit”, dhe këto traktate janë burim tjetër i fuqishëm i “Hate Speech”. Shqipëria nuk ekziston te “megali-idhe-ja” greke, po ashtu dhe te “Nacertanija” serbe. Në traktatet e Obradovic-it, J. Cvijic-it, I. Andric-it, V. Cubrillovic-it, Shqipëria është një vend që duhet të ndahet mes fqinjësh.

III. Historia e popujve të Ballkanit, të paktën e një pjese të tyre, është histori lufte më shumë se histori qytetërimi. Filozofia e E. Hoxhës ishte se populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë. Në një poemë të njohur epike të viteve 1970 shqiptari paraqitet si hero monumental që pushkën e ka zgjatim të shtyllës vertebrore. Në tekstet shkollore greke dhe shqiptare, përfshirë gjimnazet, që kam pasur rast t’i studioj, flitet shumë për “pjesën e pushtuar nga fqinji”, gjegjësisht për Epirin e martirizuar në veri të njërit dhe për Çamërinë e shkulur nga vendi, në jug të tjetrit. Dy luftërat ballkanike, paqet e paqëndrueshme të viteve 1911-1920, protokollet e fshehta, marrëveshjet ndërkombëtare të caktimit të kufijve, paraqiten si një kërcënim i sotëm. Aktualizimi i kohës së konflikteve dhe luftërave nxit urrejtje të re.

1941. “Lufta e ftohtë”, perdet e hekurta midis dy sistemeve politike, kanë bërë që edhe gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të fqinjët ballkanas ta shohin armikun te njëri-tjetri. Jo vetëm armikun tradicional, por edhe aleatin e “shefit të madh”, të Moskës apo të Uashingtonit. Populli shqiptar u edukua me sloganin “të rrosh me vigjilencë”. Armiku mund të vijë ngado, rrojmë në rrethim nga koalicione armiqsh. Armiku ishte në radhë të parë fqinji, prej të cilit mund të vinte ushtria pushtuese. Kishte dhe instrumente që e mbanin gjallë këtë frymë. Athina mbante në fuqi “ligjin e luftës”, shpallur në vitin 1941.

1942. Kloni, rrethimi fizik i kufirit, “brezi i butë”, bunkerizimi i vendit, e bëri Shqipërinë një shtet tipik të vetëviktimizuar për shkak të rendit të ri botëror të pasluftës. Qindra mijëra bunkerë mbollën gjithë hapësirën shqiptare. Kufiri është edhe sot një burim psikologjik i fjalës së urrejtjes. Kufiri sot është refuzimi i vizës, vonimi me procedura, fyerja e një nëpunësi në doganë.

1943. Lufta e klasave edukoi breza të tërë urrejtësish. Ajo ishte burimi ideologjik i urrejtjes kolektive, i urrejtjes që riprodhohet deri në 3-4 breza, më shumë se gjakmarrja në kodet etnozakonore të veriut. Kjo urrejtje e gjen edhe sot armikun te tjetri brenda. Shqipëria është ende në dy klasa: të persekutuar e të papersekutuar, komunistë e antikomunistë.

Megjithatë sot ka shumë përkufizime mbi konceptin hate speech/gjuha e urrejtjes. Shumë prej nesh besoj, biem dakord që “hate speech” është një fjalim, një tekst, një shpallje që synon të sulmojë një person ose një grup të caktuar, bazuar mbi racën, fenë, origjinën etnike, orientimin seksual, aftësitë e kufizuara ose bazuar mbi gjininë e personit ose të grupit. Në gjuhën e ligjit, shumë shtete e avancojnë këtë përkufizim, duke shtuar edhe të folurën, gjeste apo sjellje që nxisin dhunë ose veprime paragjykuese ndaj një personi apo një grupi. Që mund të jenë të mbrojtur ose jo nga ligji. Për të vijuar më tej, mendoj se duhet bërë dallimi midis gjuhës së urrejtjes nga disa koncepte të tjera të përafërta, si diskriminimi, p.sh. Diskriminimi kuptohet përgjithësisht si një veprim ndryshe ndaj një personi apo një grupi. Ose, e thënë ndryshe, një trajtim më pak i favorshëm i një personi/grupi, nisur nga prejardhja racore ose etnike, gjinia etj.

Sot në Shqipërinë e dixhitalizuar, aksesi në internet është jo thjesht një shërbim i nevojshëm, por pjesë e të drejtave themelore të njeriut. Vende të ndryshme të BE-së e kanë atë pjesë të përfshirë në legjislacionin përkatës të tyre. Shërbimi nëpërmjet internetit sot e përgjithmonë me hovin e ri teknologjik është një premisë themelore e jetës humane. Fenomeni i dixhitalizimit në veprimtari të përditshme dhe kryerja e mjaft shërbimeve të domosdoshme nëpërmjet internetit, kanë bërë që ky medium të jetë një faktor i rëndësishëm, mungesa e të cilit nuk mund të parashikohet më, se çfarë mund të sjellë për veprimtarinë njerëzore.

Nëpërmjet komunikimeve online çdo qytetar ka gjetur një mënyrë të shpejtë shërbimi në punën e përditshme të tij, por kjo nuk është e vetmja risi pozitive që ka sjellë interneti. Veprimtaria e përditshme e intensifikuar, kohë pas kohe e shërbimeve online, ka treguar se ky shërbim është një mundësi e pamatë e fjalës së lirë, gjithmonë kur ajo moderohet brenda një vëzhgimi të kujdesshëm sa u përket rregullave dhe kodeve etike. Tek interneti, fjala e lirë ka gjetur strukturën e duhur teknologjike që shumëfishon hapësirën, por edhe kapacitetet e kësaj të drejte.

Por duhet të sjellim në vëmendje se përdorimi i internetit prej publikut nuk është asfare i njëjtë për nga cilësia prej përdorimit nga ana e tij e mediave tradicionale siç janë gazetat, radiot apo dhe televizioni. Këto subjekte audiovizive vazhdimisht kanë pasur shumë pak hapësirë për publikun për të ndërvepruar dhe shumë më pak mundësi që të flasë përmes tyre. Ndërsa platformat online, mediat online në përgjithësi i ofrojnë mundësinë kujtdo të reagojë dhe të ndërveprojë. Secili nga ne sot mund të krijojë median e vet: një website, faqe publike, një blog etj. Në këto platforma publiku mbetet aktiv dhe është kudo i pranishëm: në elaborimin e informacionit, por edhe të prodhimit të tij.

Të gjitha grupet shoqërore, ato të interesit si dhe të ndryshme që mbrojnë çështje të prekshme sociale, janë sot të përfaqësuar e të pranishëm në median online. Përparësitë e komunikimeve online, si hapësira globale, informacioni i pafundmë, komunikimi i shpejtë dhe raportimi i informacionit etj., janë duke u përdorur gjerësisht nga publiku i gjerë.

Natyrisht, zhvillimet progresive të teknologjisë janë shoqëruar edhe me fenomene e dukuri të tilla si sharjet, ofendimet dhe fyerjet në komunikimet online, duke ruajtur anonimatin e tyre të plotë. Ndaj dhe liria e shfrytëzimit të kësaj hapësire të gjerë, keqpërdoret shumë më lehtë nga individë dhe kategori njerëzish, të cilat mes gjuhës së ashpër shpërndajnë mesazhe të urrejtjes dhe intolerancës. Anonimati, i pranishëm gjerësisht në internet dhe natyra e teknologjisë me porta të hapura luajnë një rol negativ në këtë drejtim.

Shqipëria nuk është një rast i mirë për të studiuar gjuhën e urrejtjes. Ajo nuk ka reflektuar probleme madhore lidhur me këtë çështje. Ajo është një shoqëri, e cila në çdo kënd të saj frontal po përpiqet të modernizohet dhe rreziku për të kaluar kufirin e gjuhës korrekte, gjithnjë e më shumë ndaj grupeve më të dobëta të shoqërisë, po bëhet gjithnjë e më i fortë.

Me zhvillimet e hovshme të platformave online, burimi kryesor i lajmeve në hapësirën shqiptare janë mjetet e komunikimit që përdoren gjerësisht nga popullata, si iPhone e të tjera forma celularësh. Aty, çdo qytetar informohet direkt e pa u lodhur për të rejat më të fundit të ditës nga shumë portale që kanë nisur, fillimisht nga gazetarë të thjeshtë e me kontribut modest në tregun mediatik shqiptar por që më pas u vu re, një dukuri e gjerë e përdorimit nga ana e tyre, e emrave të zëshëm të gazetarisë shqiptare. Këto vite të fundit, një mjet i rëndësishëm informimi dhe komunikimi u bënë dhe rrjetet sociale. E vërteta është se studime mbi këto portale ende nuk janë kryer, por duhet të pranojmë se përdorimi i gjuhës së urrejtjes në komunikimet online është mjaft i përhapur dhe i larmishëm. Rastet më të shumta lidhen me paragjykimet dhe urrejtjen që kanë për bazë përkatësinë, orientimin apo bindjet politike të tjetrit. Duke qenë se moderimi i këtyre platformave është i ulët, ky është një aspekt që meriton t’i kushtohet një vëmendje e veçantë. Në shumicën e kohës, media ka qenë gjithmonë një pasqyruese e përhershme e debateve politike në vend, duke marrë prej kohës së saj, gjithë vëmendjen e mundshme, pavarësisht nëse kanë pasur mjaftueshëm interes publik, çështjet e ngritura nga ajo. Madje jo në pak raste shpjegimi politik, ka qenë kryesor edhe në pasqyrimin e lajmeve të sektorëve të tjerë si ekonomia, sociale apo dhe kronika e zezë. Në këto shkrime shfaqet ndër të tjera edhe një tipar karakterizues i medias shqiptare, ku titulli është gjithmonë sensacional, ndërsa përmbajtja lë për të dëshiruar. Kur të afërmit e viktimave mbi të cilët është kryer krimi intervistohen, në të gjitha rastet ngjarja trajtohet me ngjyrime të errëta, pa dalluar në përmbajtje se çfarë përbën në të vërtetë interes publik. Ndërsa shkrimet për problemin e madh social që ka shkaktuar këtë ngjarje të rëndë, janë gjithmonë e më të rralla, analizat po ashtu që prekin problemin në plagë, mungojnë thuajse fare. Shkrimet e ngarkuara emocionalisht provokojnë tendencën për inate e mëri, si dhe ndjenjën e hakmarrjes sidomos te brezi i ri. Në raste të tjera inatet marrin dhe natyrë raciste, duke përbërë në të njëjtën kohë edhe dhunë verbale. Interesi më i lartë publik qëndron te trajtimi i ngjarjeve dhe analizimi i tyre, në mënyrë që të reflektohet në çfarë situate ndodhet shoqëria shqiptare dhe jo te dhimbjet emocionale që shkakton ngjarja e rëndë. Çështjet e mëdha politike gjithashtu, apo dhe mungesa e informacionit te gazetarët për çështjet ndëretnike dhe pasiguria e tyre për t’i trajtuar me profesionalizëm këto raste, shkaktojnë herë pas here një situatë virale të dukurisë apo fenomenit, duke nxitur më tej gjuhën e ashpër mes grupeve apo individëve të shumtë.

Përfundime

Duke vëzhguar në vijimësi hapësirën shqiptare të medias online, mund të arrijmë në disa karakteristika të përgjithshme që kanë të bëjnë me problemet etike, në gjuhën e përdorur në këto hapësira.

Së pari, rendisim se rastet e shumta të përdorimit të gjuhës së urrejtjes, atakimet personale dhe përdorimi i fjalorit banal ndeshen përgjithësisht në të gjitha platformat informative online dhe jo vetëm. Ato nuk kanë vetëm lidhje me ngjarjet politike në vend, por fyerjet dhe sharjet vlejnë edhe për ngjarje të zhvillimeve ndërkombëtare. Madje duhet të dallojmë se gjuha e urrejtjes politike përdoret shumë më dendur se gjuha e urrejtjes me bazë etnike, fetare, racore etj.

Së dyti, po duket se gjuha e urrejtjes nuk është më e përdorshme vetëm nga faqet online që raportojnë lajmin apo shkrimin. Por qëndrime tej limiteve të vendosura ka sidomos në komentet e hapësirave mediatike në faqet e tyre. Gjuha denigruese, fyerjet dhe sulmet personale janë disa herë shumë më të theksuara te ato, sesa në vetë shkrimet. E gjitha kjo vjen për arsye të përzgjedhjes jo në mënyrë profesionale të komenteve dhe mangësisë që shihet të ketë vetë stafi i portaleve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: