BRITANI- Moska duhet të shpjegojë se për çfarë arsye një agjent nervor i prodhuar në Rusi është përdorur për të helmuar ish-agjentin rus Sergei Skripal dhe vajzën e tij, Julia, është shprehur kryeministrja e Britanisë, Theresa May para Parlamentit.

Ajo tha se ka shumë gjasa që Rusia të jetë përgjegjëse për sulmin në Salisbury, të dielën e kaluar dhe nëse është kështu, do të përballet me masa.

“Nëse dëshmohet se Moska qëndron pas këtij helmimi, qeveria britanike do të konsiderojë këtë si “përdorim të paligjshëm të forcës” nga Rusia. Ky ose është një veprim direkt i Rusisë kundër vendit tonë ose qeveria ruse ka humbur kontrollin e agjentëve nervorë duke rënë kështu në duart e të tjerëve”.

Ajo shtoi se Britania duhet të jetë e gatshme të marrë më shumë masa kundër Rusisë dhe më parë.
Kryeministrja e Britanisë tha se e sheh helmimin e ish agjentit rus me vajzën e tij si një akt i rrezikshëm kundër Britanisë së Madhe duke vënë kështu në rrezik jetën e qytetarëve të pafajshëm.

Ndërsa, sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, është shprehur se ky veprim skandaloz duket qartësisht se është kryer nga Rusia dhe duhet të ketë pasoja serioze. Moska i ka quajtur këto deklarata si të pabaza dhe është shprehur se Britania fillimisht duhet të japë prova nëse është përdorur agjent nervorë rus.

Ish-agjenti rus, Sergei Skripal, 66 vjeç, dhe vajza e tij, Yulia, 33 vjeç, u gjetën pa ndjenja në qendër të Salisbury. Ata vazhdojnë të jenë në gjendje kritike për jetën në spital.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb