GJERMANI- Paskal Bom, 25 vjeç, nga Gjermania që punon si roje, ka arritur të parandalojë sulmuesin vetëvrasës Mohamed Dalila, 27 vjeç, të futet në festivalin e muzikës në Ansbach. Kështu me këtë veprim u ka shpëtuar jetën plot 2 500 personave.

“Filloi të belbëzojë me nervozizëm. Nuk e lejova të futet brenda pasi më dukej i dyshimtë, por edhe biletë nuk kishte pasur. U largua disa metra larg meje duke menduar se do ta lejoj të futet më vonë. Por ai vazhdimisht mbante në dorë një telefon, me të cilin kohë pas kohe bisedonte me dikë”, ka deklaruar Bom për të përditshmen gjermane “Bild”.

Heroi gjerman ka pranuar, se si Dalila sillej “çuditshëm dhe vazhdimisht shikonte nëse dikush po e vëzhgon”.

Biseda mes Bomit dhe Dalilas ka zgjatur vetëm 30 minuta, para se siriani të cilit i është refuzuar dy herë azili në Gjermani, ta hedhë veten në erë duke lënduar rëndë 15 persona. Dalila në ato momente kishte në shpinë një çantë plot me gozhda dhe vida metalike të përziera me eksploziv.

“Kur hodhi veten në erë, të gjithë mbetën të shokuar. Kam parë karrige duke fluturuar në ajër, por edhe njerëz të lënduar duke qëndruar në tokë të përgjakur. Menjëherë kam vrapuar për t’i telefonuar ndihmës së shpejtë”, ka shtuar Bom.

Sulmuesi kishte histori të një sëmundje mendore, dhe disa herë ishte shtruar në spital, kurse në telefonin e tij celular janë gjetur video në të cilat dëgjohet duke u betuar për besnikëri për ISIS-in.

Në apartamentin e emigrantit nga Siria janë gjetur shumë video “me përmbajtje salafiste”, benzinë, kimikate të ndryshme dhe substanca tjera, që mund të përdoren për prodhimin e bombave.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: