Nga: Raphawl Leroy

Më 18 janar njësia anti-drogë në Gjenevë arrestoi 3 burra dhe një grua, të cilëve iu gjetën 1 kg e 250 gr kokainë. Që të gjithë shqiptarë. Hetimi i mëtejshëm e çoi policinë në një makinë, brenda së cilës u gjet më shumë se 18 kg kokainë. Në total, u kapën afërsisht 20 kg kokainë. Nuk kishte ndodhur më parë.

Ky sekuestrim ngre pikëpyetje për dy arsye. Nga njëra anë, sasia e kapur është e habitshme krahasuar me sekuestrimet e zakonshme. Në vitin 2015 për shembull, për gjithë vitin janë sekuestruar 33 kg kokainë. Gjeneva dhe Zvicra janë vende të konsumit dhe jo të magazinimit të kokainës. Gjë që shpjegon se droga transportohet nga persona të veçantë ose me anë të mjeteve të transportit. Nga ana tjetër ngrihen pikëpyetje për origjinën e kundërvajtësve.

Tregu zviceran i drogës është ka shumë ndarje. Pjesa shqipofone – shqiptarë dhe kosovarë – zotërojnë tregun e heroinës, afrikanët e perëndimit dhe hispanikët kanë tregun e kokainës ndërsa zviceranët dhe afrikano-veriorët kanë tregun e kanabisit. Sekuestrimi i lartpërmendur i lëndës narkotike përfaqëson një pikë kthese. “Mos vallë kjo është një shenjë e fuqizimit të shqipofonëve? Ndoshta” shtron çështjen F. M., i njësisë anti-drogë në Gjeneve

Ndryshimi i sjelljes

Si shpjegohet ky ndryshim? Fillimisht, kërkesa ka ndryshuar. Përdoruesit e lëndëve narkotike nuk marrin vetëm një lloj droge: ata blejnë nga të gjitha. Është ajo që quhet politoksikomania. “Është shfaqur gjatë viteve 2000 në Evropë”, shpjegon Olivier Guéniat, shef i policisë gjyqësore në Neuchâtel, Zvicër, dhe shton: “Që nga jo kohë ka filluar të përhapet. Për rrjedhojë, shitësit ofrojnë shumë lloje substancash narkotike”

Ndryshimi i çmimit

Ka disa vite që çmimi i heroinës ka rënë. Kjo për shkak të rënies së kërkesës. Por mbi të gjitha, sot prirja është qartazi për kokainën. “Oportunizmi luan një rol të rëndësishëm në veprimtarinë e shqipofonëve”, zbulon Frank Zobel, i fondacionit “Addiction Suisse” dhe bashkautor i një studimi që po kryen mbi tregun e heroinës. Konsumi vjetor i kokainës në Zvicër është 8 ton, ndërsa i heroinës 2 ton. Në fund, për të financuar trafikun e kokainës, shqipofonët kanë filluar të sheshin kanabis, një treg ku që kap sasinë vjetore 80 ton.

Ndryshimi i teknikës

Kjo çarje në trafikun e shumanshëm mbështetet nga një organizim pa pika të dobëta, i cili lindi nga trafiku i heroinës. Mjedisi shqipofon i ngjan një mafie (të organizuar) ku mbizotërojnë lidhjet klanore dhe kodet e nderit. Nuk ka një Don Korleonë që sundon, i vetëm, mbi një perandori. Por ka një shumëllojshmëri rrjetesh të vogla që bashkëjetojnë. “Nuk kemi një strukture të qartë se nga kush kontrollohet dikush”, bën të ditur Olivier Guéniat.

Droga vjen në Zvicër nëpërmjet një diaspore solide të shpërndarë në vende kyç. Shqipofonët e Turqisë – qëndra e lëvizjes së opatëve – merren me trafikun e heroinës, ata të Amerikës latine, të Vendeve të Ulëta dhe të porteve të mëdha evropiane me kokaina, dhe për kanabisin, nuk ka nevojë për një përpjekje të madhe pasi jugu i Shqipërisë është një nga prodhuesit më të mëdhenj evropian.

Lëvizja e drogës bëhet me praktika që nuk bien më poshtë se mënyra e punës së sipërmarrësve më të mirë. Struktura ka një hierarki me një ndarje punësh të theksuar. Aty gjenden importuesit, shpërndarësit, shitësit e sasive të mëdha, menaxherët, telefonuesit dhe në fund të zinxhirit “punëtorët”, të cilët janë shitësit e thjeshtë, që janë të pranishëm vetëm për pak muaj. Kushdo mund të rrisë cilësinë e produktit të shitur me kalimin e kohës. Nëse njeri prej tyre arrestohet, ai nuk do të mund të denoncojë shokët pasi nuk është e thënë që t’i njohë.

Shitja e drejtpërdrejtë nuk ndodh nëpër trotuare siç e bëjnë afrikanët. Punëtorët shkojnë direkt tek vendi i takimit i caktuar paraprakisht nga blerësi me shefin e planit. Kjo takim mund të kryhet në apartament, në një hyrje pallati ose në një hapësirë publike. Por shqipofonët nuk kënaqen duke pritur që një klient t’i kontaktojë. Ata e marrin në telefon, dhe i bëjnë oferta. Ata i bëjnë oferta ashtu siç bëjnë supermarketet. Çdo rrjet ka skedën e vet të klientëve në një çelës USB. Një informacion i tillë është shumë i shtrenjtë: deri në 10 mijë franga zvicerane. Por edhe më shumë.

Deri këtu trafikantët shqiptarë dhe kosovarë shesin vetëm një pjesë të vogël të kokainës tek një klientelë e nivelit të lartë. Ata preferojnë që ta importojnë dhe ta shpërndajnë tek ndërmjetës që e çojnë tek klienti final. Këto ndërmjetës mund të jenë edhe konkurrentët e tyre. Por duket se këto praktika janë duke ndryshuar.

Ndryshim i tregut?

Kapja rekord e kokainës në Gjenevë mund të jetë shenja e tronditjeje që po vjen. Duke e tejmbushur tregun lokal, trafikantët shipofonë mund të ndryshojnë çmimet, ashtu siç e kanë bërë me heroinën. Konkurrenca do të jetë në vështirësi. Ky do të ishte skenari më i keq. Sepse deri më tani futja e shqiptarëve në këto tregje të reja nuk është pasuar me dhunë të konsiderueshme. Kryesisht pasi bashkëpunojnë me kundërshtarët e tyre. Por asgjë nuk thotë se nuk duan të jenë të parët. “Duhet të jesh shumë i sigurt që të hysh në territorin e hispanikëve dhe afrikanëve”, konstaton Nicolas Giannakopoulos, ekspert për çështje të krimit të organizuar.

Është e vështirë të thuhet sot se deri ku do të shkojë kjo organizatë. Tashmë specialistët nuk dyshojnë më se do të shfaqet e më vonë në tregun e drogave sintetike, ku ajo mund, përsëri, të revolucionarizojë tregun. Po nuk jemi ende atje. Po një gjë është e sigurt: nuk është kurrë e mundur të sekuestrosh një sasi të madhe lëndësh narkotike pa marrë informacion paraprak. Prandaj mund ta imagjinojmë se policisë së Gjenevës i kanë ardhur informacione nga rivalë, që duan të mbysin një treg që po lind. Kjo është shenjë e mëtejshme se fuqizimi i kësaj mafie shqetëson gjithmonë e më shumë.
(Përktheu Ilir Sinanaj/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb