Sot në Maqedoni mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për çka dy herë me radhë gjatë vitit pati dështuar data e mbajtjes së tyre, për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet katër partive më të mëdha në vend.

Rrjedha e këtyre zgjedhjeve do të diktojë rrugën e Maqedonisë drejt integrimeve. Vëzhguesit vendas, ndërkohë, njoftojnë për shkelje në disa raste të heshtjes parazgjedhore.

Këto zgjedhje janë të 8-at me radhë që nga pavarësia e vendit. Zgjedhjet e së dielës priten me interes të shtuar nga një pjesë e madhe e qytetarëve, të cilët dëshirojnë ndryshime dhe dhënien fund të krizës politike që ka përfshirë vendin pothuaj se prej dy vjetësh. Njëmbëdhjetë parti politike ose koalicione zgjedhore kanë hyrë në garë për 123 vende ligjvënësish. Maqedonia është e ndarë në gjashtë zona zgjedhore dhe secila dërgon nga 20 deputetë në parlament, dhe zona e shtatë që përfshinë diasporën, prej nga vijnë 3 ligjvënës.

Në diasporë, përfshirë gati se të gjitha kontintentet u votua të shtunën në gjithsej 46 qendra votimi. 20 mijë e 500 votues janë regjistruar atje nga një trup i përgjithshëm zgjedhor që arrin në një milion e tetëqind mijë.

Interes të shtuar ka edhe tek vëzhguesit vendas dhe të huaj; po ashtu dhe te mjetet e informimit.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka akredituar 7585 vëzhgues vendorë, 667 të huaj dhe 75 gazetarë të huaj, njoftoi zëdhënësja Arieta Xhemaili. Ky Komision paralajmëron të gjithë vëzhguesit e akredituar që t’i përmbahen kodit zgjedhor që është miratuar së fundmi.

Vetëm zyra për të drejtat e njeriut ODIHR pranë OSBE-së ka rreth 350 vëzhgues.

Fushata ka rrjedhur kryesisht e qetë, pa ndonjë incident ndërmjet aktivistëve apo militantëve të partive në garë.

Sot qendrat e votimit mbyllen në orën shtatë të mbrëmjes dhe rreth mesnatës pritet të mësohen reultatet e para jozyrtare, që dalin nga shtabet e vetë partive.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb