James Comey duhet të hetojë nëse administrata e Obamës ka përgjuar gjatë fushatës elektorale kandidatin e republikanëve për presisdent Donald Trump. Drejtori i FBI Comey ka dëshmuar disa herë vet para organeve të ndryshme se nuk ka pasur kurfarë përgjimesh të Trumpit.

Por Donald Trumpi insiston në vazhdimin e hetimeve. Zëdhënësi i tij thotë se hetimet janë fare në fillim. Me fjalë të tjera, Comey dhe kolegët e tij edhe disa muaj duhet të merren me diçka që nuk ka ndodhur kurrë. Ata lirisht mund të nisin hetimet edhe për ndonjë personazh të ndonjë romani për fëmijë, vetëm se autori i librit ka shkruar se ai ka ekzistuar. Milionat e taksapaguesve mund të shpenzohen edhe në këtë mënyrë!

As demokratët nuk janë më të mirë. Edhe ata po kërkojnë materiale komprometuese. Ata thonë se presidenti i tanishëm ka ardhur në pushtet duke i falënderuar ndihmës së Kremlinit. Ka dhe dëshmi për takime të bashkpunëtorëve të Trumpit me autoritetet ruse. Por një dëshmi e qartë për ndihmën e Trumpit nga Kremlini dhe influencën ruse në zgjedhje nuk ekziston. Hetimet e deritanishme të shërbimeve sekrete nuk kanë dhënë asnjë rezultat konkret.

Por kjo nuk i pengon demkratët. Ata pohojnë se FBI, NSA apo CIA duhet të vazhdojnë hetimet për lidhjet e Presidentit me Moskën. Ndoshta edhe gjejnë diçka? Por edhe nëse nuk gjejnë: vet përsëritja e përhershme e dyshimeve për lidhjet e Trumpit me Kremlinit hedhin një hije negative. Kjo po jep rezultate, sepse mbështetja e Trumpit ka rënë në vetëm 39%. Mosmarrëveshjet dhe kontestimet kanë ndihmuar që të bie dukshëm autoriteti i tij, që Presidentin me nerva të holluara e detyron të reagojë shpesh.

Nuk ka kohë për qytetarë
Deputetët amerikanë po merren me lojëra të këtilla politike. Ndërkohë që nuk ka mbetur shumë kohë për zgjidhjen e problemeve të mëdha. Sepse në SHBA çdo dy vite mbahen zgjedhje për Dhomën e Përfaqësuesve. Pasi që në vitin parazgjedhor mbretëron pak a shumë fushatë, mbetet shumë pak kohë për përfaqësuesit në Parlament që të merren me ligje dhe punë serioze. Ndaj koha është vërtetë shumë e çmuar.

Amerika nën Donald Trumpin – një vend i shqetësimeve dhe gjendjes së jashtëzakonshme, e cila nuk do të përfundojë shpejt. Klasa politikie nuk po kujdeset për interesat e popullit të vet. Lufta për pushtet është shndërruar në pretendimin kryesor. Për reformën e sistemit të shëndetësisë, sistemit të tatimeve dhe për infrastrukturë, mbetet shumë pak kohë dhe fuqi.

Armiqtë e Amerikës gëzohen. Ndërsa miqtë, ndër ta edhe Gjermania, duhet të mendohen: a mund të llogarisim vërtet me politikën amerikan, apo ata në tërësi janë të preokupuar me kërkimin e personazheve nga romanet e fëmijëve?/DW/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: