TIRANE – Kryeprokurori Adriatik Llalla ka mbledhur sot në zyrën e tij kreun e SHISH-it Visho Ajazi Lika, kreun e prokurorisë së Tiranës Petrit Fusha, dhe prokurorin e Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj.

Arsyeja e takimit që u zhvillua në Prokurorinë e Përgjithshme, mendohet se lidhet me hetimet për pajisjen e shumëpërfolur “IMSI Catcher”, që dyshohet se është administruar në kundërshtim me ligjin nga ana e Policisë së Shtetit. Mësohet se në takim është folur edhe për verifkimet qe po kryen organi i akuzës për rolin e ministrit Saimir Tahiri, në këtë çështje.

PEZULLIMI I HAKI CAKOS
Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën ndaluese “pezullim nga detyra” për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, për konsumimin e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në vijim të hetimit për dyshimet mbi ekzistencën e një pajisje përgjimi, e administruar në kundërshtim me ligjin nga ana e Policisë së Shtetit.

Po me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën e sigurimit ‘Arrest në shtëpi” me mbikëqyrje elektronike për shtetasit Artion Duka, me funksion Drejtor i Forcave Operacionale (F.O) dhe Entiol Xhelilaj, specialist pranë F.O, të dy të dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Prokuroria e Tiranës, në kuadër të veprimeve hetimore të deritanishme, dyshon se këta persona, me veprime ose mosveprime, kanë lejuar aktivitet të kundërligjshëm përgjimi.

Prokuroria e Tiranës, Njësia Task-Force, ka nisur hetimin kryesisht, në bazë të një materiali procedural, sipas të cilit, Policia e Shtetit ka në dispozicion një pajisje përgjimi, “IMSI Catcher”. Sipas informacionit, kjo pajisje ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë pa autorizimin përkatës dhe mund të realizojë interceptime telefonike.

RAMA DHE TAHIRI SULMOJNE GJYKATËSIN QË PEZULLOI ÇAKON
Kryeministri Edi Rama e cilësoi dje “killer me pagesë” të drejtësisë, gjyqtarin, Arjan Aliaj, që pezulloi nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Me një gjuhë të ashpër ndaj gjyqtarit, kryeministri Rama deklaroi dje, përmes një statusi në Facebook: “Kush është gjykatësi që vendosi pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm të

Policisë? Një personazh aq thellë i zhytur në kënetën e sistemit të drejtësisë, sa vetë Këshilli i Lartë i Kënetës e ka shkarkuar për korrupsion dhe mospërmbushje të detyrës!. Ky kille me pagesë apo me flamur partie i drejtësisë ka liruar nga burgu të paktën 7 herë njerëz të dënuar për vepra të rënda penale; vrasje, përdhunime, grabitje me armë…”, deklaroi dje kryeministri.

Edhe Ministri Saimir Tahiri u shpreh se gjyqtari Arjan Aliaj, i cili dha masën e pezullimit për drejtorin, Haki Çako ka qenë i shkarkuar për korrupsion, ka liruar vrasës e përdhunues dhe është riemëruar politikisht.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb