Higuain nuk po i përligj milionat që Juventusi i pagoi Napolit dhe kjo shihet mjaft qartë në fushën e lojës. Problemi muskulor në kofshë, rendimenti i dobët para portës, momenti i vështirë me kombëtaren, të gjitha kanë një arsye shumë të fortë përse po ndodhin.

Me sa duket, ajo që po e mbajnë në ankth Gonzalo Higuainin, të paktën siç referon revista prestigjioze italiane “Novella 2000”, janë disa kërcënime të rënda dhe të rrezikshme me jetë, anonime, aq sa ato kanë detyruar lojtarin që të mos grumbullohet për Sevijen, nga gjendja e rënduar emocionale.

Të paktën ky është informacioni që ky burim mediatik ka marrë nga disa miq dhe të afërm të futbollistit për të cilin Juventusi i pagoi Napolit 94 milionë euro këtë verë. Bomberit argjentinas, si rrjedhojë e kësaj situate të frikshme, në dy javët e fundit i është dashur që të dalë nga shtëpia i shoqëruar disa herë nga disa truproja, por në shumicën e rasteve nga policia e “Digos”-it (Divizioni Investigativ dhe i Operacioneve Speciale), e cila e mban nën mbikëqyrje 24 orë në 24.

Pas transferimit të tij nga Napoli këtë verë, protestat e tifozëve të kaltër kanë qenë të panumërta, por edhe shumë të ashpra. Mes ironisë dhe keqdashjes, ata e detyruan Higuainin që të mbyllte adresat e tij në rrjetet sociale për disa orë dhe madje mesazhet që erdhën në drejtim të tij, mes të cilave edhe kërcënime me vdekje, u morën për t’u analizuar edhe nga forcat policore, por me sa duket, këtë herë situata ka degraduar edhe më shumë.

Sipas informacioneve të zbuluara së fundmi, “Pipita” ka marrë kërcënime deri në banesën e tij dhe, për këtë arsye, është kërkuar ndërhyrja e “Digos”-it. Gjithsesi, i kontaktuar nga “Gazzetta dello Sport”, klubi i Juventusit e ka përgënjeshtruar këtë lajm: “Nuk na rezulton që ky lajm të jetë i vërtetë, aq më tepër marrja në mbrojtje e lojtarit tonë nga një eskortë apo truproja.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: