Nga: SHABAN MURATI*
Vendimi i parlamentit të Kroacisë në datën 29 korrik për të detyruar qeverinë që të ngrejë procedurat për tërheqjen e Kroacisë nga “Marrëveshja e Arbitrazhit” me Slloveninë lidhur me konfliktin për hapësirën detare midis dy vendeve, paraqet një zhvillim interesant jo vetëm në planin e marrëdhënieve midis dy shteteve, por edhe më gjerë në planin diplomatik, politik, juridik, rajonal dhe europian. Marrëveshja e Arbitrazhit midis Kroacisë dhe Sllovenisë, e nënshkruar në Stokholm në vitin 2009 me garancinë e Bashkimit Europian, presidencën e të cilit në atë kohë e kishte Suedia, hapi rrugën e krijimit të Tribunalit të Arbitrazhit, të përbërë nga pesë arbitra, tre nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga një Kroacia dhe Sllovenia. Odiseja ka qenë e gjatë dhe e vështirë, si vetë konflikti për delimitimin detar të gjirit të Piranit, i nisur qysh me shpalljen e pavarësisë së të dy shteteve në vitin 1991. Sesioni i parë i Tribunalit të Arbitrazhit u zhvillua tre vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Arbitrazhit dhe pritej që nga fundi i këtij viti tribunali të jepte vendimin e tij.
Në pamjen e parë dukej sikur ecuria e Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit do të ishte rruga e zgjidhjes së këtij konflikti 24-vjeçar midis dy shteteve fqinje për delimitimin detar të një zone prej 19 kilometrash katrore dhe e cila kishte shkaktuar kaq dallgë tensionesh në marrëdhëniet midis tyre. Por se sa e komplikuar dhe me shkëmbinj të nënujshëm është rruga e Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit e nxori në dritë zbulimi i fakteve tronditëse mbi prapaskenat që devijonin rregullat, integritetin dhe procedurat e pranuara bashkërisht për punimet e Tribunalit Ndërkombëtar. Në datën 22 korrik, gazeta kroate “Veçernij List” botoi regjistrimet e përgjimeve të bisedave midis një arbitri të Tribunalit të Arbitrazhit dhe përfaqësueses së Ministrisë së Jashtme të Sllovenisë, nga të cilat mësohej se arbitri i mësipërm, në thyerje të rregullave, konfidencialitetit dhe asnjanësisë së tribunalit, kishte shkëmbyer informacione sekrete të gjykatës me përfaqësuesen e qeverisë sllovene dhe rrëfente lobingun e tij për të ndikuar te gjyqtarët e tjerë të tribunalit. Skandali ishte i madh në planin juridik, politik, diplomatik dhe ndërkombëtar, sepse vinte në dyshim dhe hidhte hije në drejtësinë e veprimtarisë së tribunalit dhe në paracaktimin e vendimeve të tij në mënyrë të ndikuar. Dhe ai ishte kaq i vërtetë, sa që edhe arbitri i tribunalit, edhe përfaqësuesja diplomatike e Sllovenisë në tribunal, u detyruan të japin brenda ditës dorëheqjet. Por tashmë dëmi ishte bërë.
Në kushtet e reja të krijuara nga ky skandal, qeveria kroate vendosi tërheqjen nga marrëveshja e arbitrazhit dhe kërkoi thirrjen e një sesioni të jashtëzakonshëm të parlamentit kroat në 29 korrik, ku me një votim unanim, 141 deputetë të pranishëm votuan vendimin për t’i kërkuar qeverisë hapjen e procedurave për tërheqjen e Kroacisë nga marrëveshja e arbitrazhit me Slloveninë dhe nga procesi i arbitrazhit. Kroacia doli me argumentin se ishin shkelur rregullat e procedurave dhe besueshmërisë së Tribunalit Ndërkombëtar, gjë që e vinte në dyshim atë tribunal dhe se Sllovenia kishte shkelur normat e marrëdhënieve dhe të pjesëmarrjes në traktatet ndërkombëtare. Sllovenia u përpoq ta minimizonte çështjen, duke dalë me argumentin se nuk kishte arsye të tërhiqej Kroacia nga marrëveshja dhe madje sipas saj, Kroacia nuk kishte të drejtë të largohej nga tribunali. Për ta riparuar në një farë mënyre skandalin, qeveria sllovene emëroi si arbitër të Sllovenisë në Tribunalin e Arbitrazhit presidentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Ronni Abraham.
Ka disa elemente interesantë në procesin e vendimit të Kroacisë për tërheqje nga Marrëveshja e Arbitrazhit me Slloveninë për delimitimin e hapësirës detare. Kroacia u tërhoq nga një marrëveshje, që e kishin nënshkruar kryeministrat e të dy shteteve, që e kishte garantuar BE dhe të cilën e kishin ratifikuar parlamentet e të dy shteteve. Ajo u tërhoq, sepse njëra palë, Sllovenia, ndryshoi kushtet e rëna dakord në kohën e nënshkrimit të saj dhe nuk respektoi angazhimet që rrjedhin nga marrëveshja. Nga ana tjetër, largimi i Kroacisë nga marrëveshja e arbitrazhit ishte qëndrim dhe vendim i përbashkët i të gjitha forcave politike të qeverisë dhe të opozitës, të cilët në mënyrë unanime u bashkuan në interesin kombëtar. Madje me qëndrimin e qeverisë dhe të parlamentit kroat u bashkuan edhe parti politike të pakicave jokroate. Me qëndrimin e qeverisë dhe të parlamentit u bashkua edhe Konferenca e Peshkopëve Kroatë, e cila doli me komunikatë për të mbështetur qëndrimin e qeverisë për të mbyllur marrëveshjen e arbitrazhit. Kur lexon qëndrimin Konferencës së Peshkopëve Kroatë për një çështje të interesit kombëtar si ajo e delimitimit të hapësirës detare me Slloveninë, nuk mund të mos të të shkojë mendja te disa institucione fetare shqiptare, që nuk thanë gjysmë fjale për marrëveshjen e zezë të detit të Shqipërisë me Greqinë apo që ende nuk kanë thënë gjysmë fjale në përkrahje të pavarësisë së Kosovës…
Tërheqja e Kroacisë nga Marrëveshja dypalëshe e Arbitrazhit, për të cilën qeveria kroate njoftoi zyrtarisht Slloveninë, Tribunalin e Arbitrazhit dhe OKB-në është një ngjarje e rëndë në marrëdhëniet midis dy shteteve, që janë fqinj dhe të dy anëtarë të NATO-s dhe të BE. Në një farë kuptimi, pas 24 vjet konflikti, bisedimesh dhe ndërmjetësimi ndërkombëtar, çështja e delimitimit detar midis dy shteteve kthehet në pikën e nisjes. Kjo nuk mund të mos ketë pasoja në tërë strukturën e marrëdhënieve midis dy shteteve fqinje. Ky zhvillim e ka vënë në pozitë të vështirë edhe BE, sepse po ndodh midis dy shteteve anëtare dhe në një kohë kur formula e Tribunalit të Arbitrazhit dhe e Marrëveshjes së Arbitrazhit ka qenë iniciuar dhe garantuar nga vetë BE. Komisioni Europian u përpoq të zbuste efektet e ngjarjes, duke deklaruar se tribunali do të vazhdojë punën e vet, pavarësisht vendimit të Kroacisë. Por qeveria kroate iu përgjigj me deklaratën se çështja e Marrëveshjes së Arbitrazhit është çështje jo e BE, por e marrëdhënieve dypalëshe midis dy shteteve të barabartë anëtare të BE dhe çfarëdo, që të vendosë Tribunali i Arbitrazhit më tutje nuk ka të bëjë me Kroacinë dhe as do të njihet prej saj.
Është një zhvillim negativ midis dy shteteve anëtare të NATO-s dhe të BE për çështjen e delimitimit të hapësirës detare, nga i cili dalin dhe duhet të nxirren disa mësime edhe për diplomacitë dhe qeveritë e shteteve të tjera të rajonit, të cilat kanë probleme të ngjashme me fqinjët e tyre.
Së pari, ky zhvillim tregon se çështjet e delimitimit detar apo tokësor midis dy shteteve nuk janë çështje të lehta, të cilat zgjidhen me dy apo tri shtrëngime diplomatike duarsh. Kroacia dhe Sllovenia janë në konflikt për delimitimin e një hapësire detare prej 19 kilometrash katrorë dhe nuk po e zgjidhin dot që prej 24 vitesh. Të gjitha konfliktet e kësaj natyre kanë zgjatur me dekada dhe ngutjet kanë rezultuar me humbje të sovranitetit dhe të integritetit territorial nga shteti, që është ngutur. Shembulli klasik i çmimit të rëndë të ngutjes diplomatike është marrëveshja e vdekur e detit e vitit 2009, e nënshkruar nga qeveria e atëhershme e Shqipërisë me qeverinë e Greqisë.
Së dyti, statusi i fqinjësisë së mirë nuk duhet përdorur si alibi për të lëshuar pe në çështjen e sovranitetit dhe të integritetit territorial të shtetit. “Fqinjësia e mirë” nuk mund të vendoset mbi interesin shtetëror dhe kombëtar të vendit. Kroacia dhe Sllovenia janë shtete fqinje, anëtare të NATO-s dhe të BE, por asnjëherë diplomacitë e tyre nuk janë autosugjestionuar me retorikat e “fqinjësisë së mirë” në bisedimet për çështjen e delimitimit të hapësirës detare të diskutueshme.
Së treti, integriteti territorial dhe sovraniteti kombëtar janë më të rëndësishëm se integrimi europian. Asnjë shtet anëtar i BE nuk ka paguar çmimin e shitjes së territoreve kombëtare për hir të integrimit europian. Kroacia dhe Sllovenia, secila nga këndvështrimi i vet, e konsiderojnë delimitimin e hapësirës detare në gjirin e Piranit si interes jetik dhe nuk cedojnë me hapa dhe akte, që dëmtojnë interesat e përcaktuara prej tyre si jetike. Ndaj dhe bisedimet zgjasin prej 24 vitesh.
Së katërti, dhe tepër e rëndësishme, është që zhvillimi i fundit negativ me Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit krijoi de facto hije dyshimi lidhur me garancinë e proceseve juridike ndërkombëtare dhe të disa institucioneve juridike ndërkombëtare. Sepse, nëse një arbitër i tribunalit dhe përfaqësuesja e qeverisë së Sllovenisë në atë tribunal kanë ndikuar nëpërmjet lobingut pranë arbitrave të tjerë të gjykatës, kjo do të thotë se vendimi i pritshëm i këtij tribunali është i paracaktuar dhe do të ishte i dëmshëm për interesat e Kroacisë. Ka një precedent të pakorrektësisë së tribunalit në këtë drejtim. Që në muajin prill të këtij viti, ministri i Jashtëm slloven pat deklaruar se sipas informatave që ai kishte, tribunali do të merrte një vendim në favor të Sllovenisë lidhur me delimitimin e hapësirës detare të Gjirit të Piranit. Deklaratat e ministrit të Jashtëm slloven, që e dinte paraprakisht një vit më parë vendimin e Tribunalit të Arbitrazhit, shkaktuan një reagim diplomatik të ashpër të Kroacisë, e cila nëpërmjet një letre të ministres së Jashtme kroate, Vesna Pusiç, drejtuar Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, tërhiqte vëmendjen mbi vendimet e komprometuara dhe të paragjykuara të tribunalit.
Skandali i korrikut e konfirmoi këtë komprometim të punimeve dhe të integritetit të Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit. Ai dëshmonte se Sllovenia kishte ndërhyrë në procesin e drejtësisë të tribunalit dhe kishte arritur, pa mbaruar procesi, të ndikonte në qëndrimet e tij, duke devijuar mendimet dhe qëndrimet në favor të interesave të saj. Nëse dikush do të mirëkuptonte apo justifikonte sjelljen e Sllovenisë, nuk mundet kurrsesi të justifikojë sjelljen e arbitrave të Tribunalit Ndërkombëtar, të cilët duhet të refuzojnë çdo lloj dhe formë presioni apo lobingu mbi ta dhe mbi të gjitha, duhet të kenë asnjanësinë dhe mbështetjen tek ligjet, e drejta dhe e vërteta. Nuk mendohet se e korrigjoi qeveria e Sllovenisë situatën, duke emëruar si arbitër të palës sllovene në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit presidentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Është vështirë të kuptosh se si presidenti i GJND mund të jetë në të njëjtën kohë edhe përfaqësues e avokat i Sllovenisë në Tribunalin e Arbitrazhit, i cili gjithashtu ndodhet në Hagë. Sllovenia e ka zgjedhur atë, sepse ai ka një reputacion dhe ndikim të madh në qarqet e drejtësisë ndërkombëtare dhe për pasojë mund të lobojë për animin e balancës në favor të kërkesave sllovene. Nga ana tjetër, kjo e bën më të komplikuar dhe perspektivën e transferimit të çështjes së konfliktit detar midis dy vendeve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, GJND. Kroacia ka kërkuar vazhdimisht që çështja të shkojë në GJND, por Sllovenia nuk ka qenë dakord. Tani del që presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me gjithë kompetencën dhe reputacionin e madh juridik ndërkombëtar që gëzon, merr statusin e avokatit të Sllovenisë. Ky element e transmeton indirekt hijen mbi besimi tek GJND, në rast se çështja do të shkojë atje. Këto komplikime shtrijnë hijet e mosbesimit më gjerë se sa veprimet e një arbitri të veçantë apo të përfaqësueses diplomatike të Sllovenisë.
Kjo do të thotë se në Tiranë ithtarët shtatanikë të arbitrazheve ndërkombëtare për marrëveshjen e vdekur të detit me Greqinë duhet të mendohen katër herë, kur iu duket se kanë gjetur shkopin çudibërës, i cili për hir të së vërtetës dhe sipas burimeve të MPJ të Shqipërisë, është jo rastësisht një sugjerim grek. Shqetësimi që shtrohet pas këtyre zhvillimeve është se organizmat juridike ndërkombëtare duhet të vijnë duke e shtuar besimin e shteteve në integritetin e tyre dhe jo duke e pakësuar atë. Shqetësimin për pasojat e shprehu edhe kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanoviç, kur deklaroi se “pas kësaj që ndodhi, kush do të bjerë dakord me Arbitrazhin?”. Kurse presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, deklaroi se “skandali ka tronditur besimin në ligjin ndërkombëtar”.
Zhvillime të tilla këshillojnë një politikë të matur në lidhje me konfliktet apo mosmarrëveshjet me shtetet fqinje. Koncepti i “fqinjësisë së mirë” nuk duhet të bëhet hipotekë e sovranitetit kombëtar. Fenomenet negative në marrëdhëniet midis shteteve fqinje dhe në disa institucione juridike ndërkombëtare këshillojnë që të mos ketë ngutje për të ndjekur formulat që sugjeron pala me të cilën je në konflikt.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: