TIRANE- Erdhi në Shqipëri për të kaluar festat e fundvitit por ka 3 javë që nuk I bashkohet dot familjes në Belgjikë, pasi shteti shqiptar e pengon. Kjo është historia e 37-vjeçarit Bilbil Kaboçi nga Bërxulli në Tiranë. Ai është larguar 15 vite më parë në Belgjikë ku ka ndërtuar familje dhe ka një leje qëndrimi të përhershme.

Për t’u larguar në Belgjikë nga Shqipëria, atij i nevojitet pasaporta shqiptare, por kur tentoi të aplikojë për pasaportë biometrike, zbuloi se identiteti i tij është vjedhur, pasi dikush tjetër me të dhënat e tij ka marrë dhe disponon një pasaportë biometrike. Nuk ka mjaftuar kjo, por Kaboci është shoqëruar edhe në ambientet e policisë.

“Kam ardhur në Shqipëri para 3 javësh nga Belgjika. Erdha të bëja pasaportën dhe më arrestuan atë ditë. Kur e kuptuan që më kishin vjedhur identitetin dhe unë nuk kisha asnjë faj, më liruan. Dua të di kush më ka vjedhur identitetin. Sot kur erdha të marr pasaportën më thanë se ende nuk është futur, pasi dosja është e bllokuar”, tha ai.

37-vjeçari tregon se ka bërë denoncimin për vjedhjen e identitetit dhe ka paguar kuponat për të marrë sa më shpejt pasaportën që I takon por ende dosja e tij ka mbetur pezull. Me dokumentet belge ai ka tentuar të kalojë kufirin nëpërmjet aeroportit të Rinasit por është ndaluar pasi Shqipëria nuk është pjesë e Shengenit dhe për të kaluar kufirin, duhet patjetër pasaporta shqiptare. 37-vjeçari bën apel që problem i tij të zgjidhet sa më shpejt pasi në Belgjikë e pret bashkëshortja dhe 3 fëmijët e mitur.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb