Historia rrëqethëse e kamerunasit të Sopotit, Janot Tadjong, e publikuar në gazetën “Panorama Sport” një ditë më parë ka sjellë reagimet e para për të. Pasi kishte dëgjuar për fatin e trishtë të Janot, i cili mezi siguronte mbijetesën në Tiranë, ka bërë që një klub sportiv të vërë dorën në zemër për lojtarin. Dhe është pikërisht Domosdova e Përrenjasit, klubi që hap dyert për kamerunasin. Klubi e garanton mesfushorin se do të ketë të sigurt rrogën dhe ushqim shumë të mirë njëkohësisht, gjë që i ka munguar gjatë këtyre katër muajve të fundit.

Oferta
Shefi i klubit të Domosdovës, Ardit Facja, i befasuar nga lajmi i ka ofruar një vend në ekipin e tij kamerunasit. “Lajmi dhe historia e lojtarit kamerunas të Sopotit ishte e dhimbshme. Menjëherë bëra një kërkim të vogël për lojtarin, pashë disa video dhe foto të tij në internet. Mendoj se një lojtar me fizik shumë të mirë dhe të dhëna si të Janot, nuk e meriton një situatë të tillë. Fola me trajnerin e skuadrës dhe duke qenë se ne jemi në merkato këto javë dhe repartin e mesfushës duam ta përforcojmë, mendoj se Janot mund të na bëjë punë.

E ftoj kamerunasin publikisht për një provë këto ditë në Përrenjas. Do ta kontaktoj menjëherë nesër dhe do ta pres me kënaqësi për një provë në ekipin tonë, i cili këto ditë do të zhvillojë një miqësore me skuadrën e Pogradecit.

Ndoshta rroga që mund t’i ofroj unë do të jetë modeste për lojtarin, por të paktën atë do ta ketë të garantuar dhe mbi të gjitha, ushqimi i mirë nuk do t’i mungojë asnjëherë”, përfundoi ofertën e tij për kamerunasin shefi i klubit të Domosdovës, Ardit Facja, duke bërë një gjest human për lojtarin kamerunas. Aktualisht, skuadra përrenjasake militon në Kategorinë e Dytë./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb