Nga Edvin Parruca
Më 28 nëntor Franca deklaroi se trupat e saj speciale, gjatë një bombardimi në Libi, kanë goditur dhe vrarë Mokhtar Belmokhtar, terroristin më të kërkuar të Afrikës. Kjo është hera e 8-të që Belmokhtar shpallet i vdekur. I njohur ndryshe si ‘Njeriu me një sy’, ‘I pakapshmi’ apo ‘Mr Marlboro’ (për shkak të kontrabandës së cigareve që drejtonte) Mokhtar Belmokhtar është konsideruar si një nga xhihadistët më të rrezikshëm të Afrikës Sahariane. Amerikanët vunë një çmim prej 5 milionë dollarësh për informacione që do çonin në kapjen e tij. Në verën e vitit 2015 ai u shpall i vrarë në Libi nga një aksioni amerikan, por u rishfaq sërish, ashtu siç ishte rishfaqur duke marrë përsipër sulme të tjera, kur ushtria e Çadit e deklaroi të vdekur në mars 2013.

Belmokhtar ka hyrë e ka dalë nga disa prej grupimeve më të rrezikshme që veprojnë në zonat e pamata e veshtirë të kontrollueshme të Saharasë dhe Sahelit. Saheli është një rrip toke që ndan shkretëtirën nga savanna dhe që shtrihet nga Oqeani Atlantik deri në Detin e Kuq. Një zonë që përshkon shumë vende, dikur trajektore e karvanëve të tregtisë, është shndërruar tani në zonë operative për grupe të ndryshme të armatosura, qënga lëvizjet separatiste etnike të tuaregëve, deri te fraksionet e ndryshme islamiste.

Harta (Harta e zones që njihet si Sahel, në Afrikë)

44-vjeçari Mokhtar Belmokhtar, i lindur në Algjeri, ka një karrierë të gjatë në formacionet xhihadiste. Kur ishte vetëm 19 vjeç, Belmokhtar udhëtoi drejt Afganistanit për t’iu bashkuar muxhahedinëve. Pas tërheqjes së trupave ruse, në Afganistan kishte shpërthyer lufta civile mes qeverisë dhe muxhahedinëve, të cilët arritën të marrin kontrollin e Kabulit duke e hedhur vendin në kaos.

mokhtar i ri (Bemokhtar në vitet e rinisë)

Në Afganistan ai u stërvit në kampet e Al-Kaedës. Në këtë vend humbi edhe syrin, gjatë një pakujdesie me një sasi eksplozivi. Që atëherë Mokhtar mbante një sy fals.

Pas kthimit në Algjeri në 1993 merr pjesë menjëherë në luftën civile algjeriane, që kishte nisur pasi Frontit Islamik të Shpëtimit i ishte mohuar fitorja në zgjedhje nga ushtrakët, në vitin 1991. Belmokhtar bashkohet me Grupin e Armatosur Islamik të Algjerisë, një organizatë ekstremiste shumë e dhunshme që kërkonte rrëzimin e qeverisë dhe vendosjen në Algjeri të një shteti islamik.

Nga ky grupim u shkëput një grup Salafist, të cilit Belmokhtar iu bashkua, Grupi Salafist për Lutje dhe Luftim, i cili më vonë u shndërrua në grupimin Al-Kaeda Në Magreb (AQIM).

Mokhtar Belmokhtar bëhet një nga figurat e rëndësishme të Al-Kaedës Në Magreb, duke vepruar në shkretëtirën mes jugut të Algjerisë dhe Malit, Mauritanisë e shteteve të tjera fqinje dhe duke nxjerrë miliona nga kontrolli I kontrabandës së cigareve, diamanteve, makinave të vjedhura, apo nga rrëmbimet e pengjeve nga vendet e Perëndimit, turistë, profesionistë deri edhe zyrtarë të Kombeve të Bashkuara. Paratë që fitoheshin në këto mënyra përdoreshin për armatosjen e grupimeve salafiste në zonat e Saharasë dhe Sahelit.

robert fowler (Diplomatët kanadezë Robert Fowler dhe Louis Guay që punoni për OKB dhe u mbajtën të rrëmbyer për 130 ditë në 2008 nga grupi i Bemokhtar)

Pasi pati përplasje me drejtuesit e Al-Kaedës Në Magreb në 2012, Mokhtar ngre grupin e tij xhihadist, që u mbiquajt Brigada e të Maskuarve, al-Mulathamin. Ai vazhdon të jetë besnik i Al-Kaedës dhe liderit të përgjithshëm të saj, Ayman al-Zawahri.

Në janar 2013, grupimi i ri i Mokhtar sulmoi impiantin më të madh gaznxjerrës në Algjeri, në In Amenas, duke marrë rreth 800 pengje. Në përfundim të krizës që zgjati disa ditë, trupat algjeriane ndërhynë dhe bilanci shënoi 39 pengje të vrarë, pothuaj të gjithë të huaj, ndërkohë që Belmokhtar me një mesazh video mori përsipër sulmin që u zhvillua vetëm disa ditë pasi trupat franceze ndërhynë në Mali.

Në gusht 2013 mediat muaritaneze lajmëruan se g rupimi i Belmokhtar ishte bashkuar me një tjetër fraksion të Al-Kaedës dhe kishin krijuar një grupim të quajtur Al Murabitun. Një pjesë e këtij grupimi deklaroi mbështetjen ndaj Shtetit Islamik, por Belmokhtar lëshoi një deklaratë ku këmbengulte se grupimi i qëndronte besnik Ayman al-Zawahrit të al-Kaedës.

Pas sulmit në In Amenas, aksioni tjetër më i bujshëm që i atribuohet Belmokhtar, ishte sulmi kundër hotel Radisson Blu në Bamako, kryeqytetin e Malit, më 20 nëntor 2015. Në këtë sulm u morën peng 170 njerëz, nga të cilët 20 u vranë në përfundim të ndërhyrjes së trupave qeveritare të mbështetura nga njësi speciale franceze.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb