Disa thonë se janë grabitur apo përdhunuar nëpërmjet hipnozës. Po a është e vërtetë se mund të “komandohet” një person kundër vullnetit të tij?

Londër, dhjetor 2014. Një kamera survejimi xhiron këtë skenë: një njeri hyn në dyqanin e Aftab Haider, flet me të për disa çaste, më pas i fut duart në xhepa i merr portofolin me të ardhurat e xhiros ditore, dhe pastaj largohet. Të nesërmen, gazetat dhe faqet e internetit folën për “grabitje nën hipnozë”. Nuk është hera e parë që ndodh: por me të vërtetë, do të pyesin shumë njerëz, përmes hipnozës a mund të shdërrohen njerëzit në kukulla pa asnjë vullnet?

Forcë e papërmbajtshme
Në fakt, episode të ngjashme me atë të Londrës, janë regjistruar prej kohësh, shpesh edhe në Itali. Në prill të vitit 1992, në Romë, pati një valë grabitjesh që i atribuoheshin hajdutëve-hipnotizues. “Si në një ekstazë”- tregonte një nga viktimat- “hipa në makinën e një zotërie zviceran, i cili më tha se ishte një industrialist dhe kishte nevojë për informacion.

E kuptoja se historia që po më tregonte (130 milionë lireta për t’u depozituar sa më shpejt të ishte e mundur në bankë) nuk ishte e vërtetë, dhe se ishte absurde për mua të hipja në makinën e një të panjohuri. Por unë s’mund të rezistoja dot.

Ai më tha se unë duhet ta ndihmoja të depozitonte paratë dhe ia doli, nuk e di sesi, të më bindë të shkoj tek banka ime: por jo për të depozituar paratë e tij, por për të tërhequr 10 milionë lireta nga llogaria ime. Nuk doja të bëja, por e ndjeja se diçka më detyronte. Pastaj, pasi mora paratë u ktheva në makinë, i panjohuri më kërkoi ndjesë më zbriti dhe i mbajti paratë për vete”.

Kriminelë me një “vështrim ç’armatosës”
Në të njëjtin kurth, kanë rënë shumë persona. Dy vjet më vonë, në Kozenca, 3 persona me origjinë pakistaneze hynë në një dyqan materialesh ndërtimi, duke kërkuar të blejnë një furçë. Në momentin e pagesës, ata nxorrën një kartmonedhë 100 mijë liretëshe dhe e pyetën shitësin nëse midis 80.000 liretave kusur, mund të kishte një kartmonedhë 50-she që kishte si seri të saj fillestare zanoren “I”. Pse? “E duam shumë vendin tuaj”-shpjeguan ata-“ duam t’i marrim me vete si kujtim dhe meqë jemi koleksionistë kartëmonedhash, dëshirojmë me një numër serial që fillon me “I” si “Italia”.

“Kur të 3 burrat u larguan, shitësi vuri re se ishin zhdukur disa kartmonedha 50-she.
“Ai burrë më magjepsi”- tregonte ndërkaq disa kohë më vonë një zonjë, punonjëse në aeroportin Milano Linate. “Isha në radhë në bankë për të depozituar të ardhurat e biletarisë, si çdo ditë, kur m’u afrua një burrë me tiparet orientale, së bashku me një grua, duke më kërkuar nëse mundesha t’i tregoja gruas së tij kartëmonedhat italiane pasi nuk i njihte.

Mua m’u duk një kërkesë e çuditshme, por ai ishte i sjellshëm dhe vazhdonte të përsëriste fjalë të çuditshme, si “sciaran” ose “sciarazan”. Unë ndjehesha e magjepsur nga prania e tij, kështu që nxorra nga çanta kartmonedha dhe ia tregova. Ai vetëm sa i preku me dorë disa herë, nuk m’i mori, dhe pastaj ata u larguan. Kur mbërrita në sportel për të depozituar paratë, kuptova se me kishte vjedhur 11 kartmonedha nga 100 mijë lireta”. Më keq u shkoi disa grave që i besuan një burri, në një qytetezë të Essex në Angli, që u premtonte se do t’i ndimonte të linin duhanin, humbnin peshë brenda disa ditësh, apo hequr stresin:të gjitha falë hipnozës.

Përkundrazi, kur “viktimat” e tij shtriheshin në krevat, e gjenin veten në duart e një përdhunuesi, që abuzonte me trupat e tyre. Po çfarë mund të thuhet në lidhje me hipotezën se shërbimet sekrete ruse dhe amerikane, kanë përdorur hipnozën gjatë Luftës së Ftohtë, për të nxitur vetëvrasjen e personazheve të papëlqyeshëm apo spiunët rivalët? Ajo që mund të bëjë një hipnotizues i mirë, mund të mos ketë kufij. Por a është vërtetë kështu? Dhe çfarë saktësisht është hipnoza?

Magnetizmi i kafshëve
Megjithëse praktika të ngjashme me hipnozën, mund të gjenden edhe në Egjiptin e lashtë dhe Kinë, është e zakonshme të flitet për historinë e hipnozës që në vitet ‘700, kur një mjek gjerman, Franc Anton Mesmer, formuloi teorinë e “magnetizmit të kafshëve”. Ideja e tij ishte se çdo gjë në botë, është e mbushur me një lëng magnetik universal:nëse në trupin e njeriut lëngu ishte “i paekuilibruar”, lindin sëmundje, dhe për të rrikthyer ekuilibrin ishte e mjaftueshme të vendosje një magnet tek pjesët e sëmura (edhe pse më vonë, Mesmer zbuloi se shqetësimet e pacientëve zhdukën edhe vetëm me sy, pa përdorimin e magnetit!). Në imagjinatën kolektive, teknikat e hipnozës nuk janë shumë të ndryshme nga magjia.

Merrni parasysh për shembull Mandraken, magjistarin e librave me ilustrime të viteve ‘30, apo gjarprin Kaa të “Librit të Xhunglës”, me sytë e saj spirale në kërkim të trullosjes së viktimave të tij, për t’i ngrënë më pas.

Disa personazhe të televizionit (si Xhukas Kasella ose anglezi “bindës” Deren Braun), duken të aftë për ta detyruar tjetrin të zbatojë të gjitha urdhërat e tyre. Megjithatë, dyshimi se këto incidente mund të ketë shpjegime të tjera nga ajo e hipnozës, është shumë i fortë. Imagjinatë dhe konfuzion

Sa për të filluar, që në vitin 1784 një komision i ngritur nga Luigji XVI në Francë, studioi punën e Mesmer dhe arriti në përfundimin se fenomenet e rregjistruara, shërimet dhe sjelljet e ekzaltuara nuk ishin për shkak të lëngjeve apo shikimeve magnetike, por “imagjinatës së mbieksituar” të pacientëve, dhe sugjestionit të krijuar nga personaliteti i hipnotizuesit.

Në fakt, fjala kyçe duket të jetë pikërisht sugjestioni. ”Hipnoza, nuk është një gjendje e ndryshuar e ndërgjegjes, dhe kush është hipnotizuar nuk kalon në ekstazë”- thotë Graham Vagstaf, psikolog në Universitetin e Liverpulit.

“Është një formë e ndërveprimit shoqëror mes dy njerëzve, ku njëri kërkon nga tjeri të sillet në një mënyrë të caktuar, dhe ky i fundit bindet për shkak se mendon se e ndjen se duhet ta bëjë këtë, dhe jo për shkak se është manipuluar nga një forcë së cilës s’mund t’i rezistojë”-shton ai. “Vullneti nuk mund të asgjësohet”- konfirmon psikiatri Matteo Rampin.

“Në fakt, hipnoza klasike vepron vetëm nëse ekzistojnë disa kushte të caktuara. E para, është që subjekti të jetë i gatshëm të hipnotizohet. Pa pëlqimin e plotë të pacientit, hipnoza nuk funksionon”.

Studimet laboratorike, tregojnë gjithashtu se njerëzit gjatë hipnozës, nuk janë më të bindur sesa do të ishin në rrathana të tjera. “Hipnoza”- vazhdon Rampin “lë absolutisht të paprekur moralin e personit, nuk mund ta detyrojë të bëjë atë që në aspektin intim, nuk do të dëshironte”.

Pra nuk ka asnjë vrasës apo vetëvrasje të manipuluar nga hipnoza. Ndërsa abuzimi me pacientët e pambrojtur, shpjegohet me dhunën dhe mbizotërimin. Po grabitjet? Një ekip i udhëhequr nga Karlo Alfredo Kleriçi, specialist i psikologjisë klinike në Universitetin e Milanos, ka shqyrtuar 106 incidente të tilla. Përfundimi:nuk ka asnjë hipnozë. Ngjarjet e analizuara, janë të shpjegueshme nga këndvështrimi psikologjik.

“Duke e shpërqëndruar viktimën me kërkesa të çuditshme, të paparashikueshme, të pashtershme”-thotë Kleriçi-“hajduti u shkakton një gjendje konfuzioni, që i lejon të çojë deri në fund mashtrimin. Sapo keqbërësit largohen, viktima bëhet e vetëdijshme për atë që ka ndodhur, për t’i dhënë vetes një justifikim, flet për hipnozën”. Pra, megjistarë po, por të mashtrimit. Dhe meqë ra fjala:për t’ia dalë të vjedhë tregtarin e fillimit të këtij tregimi, hajduti i tha atij se kishte parë një insekt helmues në këmishën e tij. /Fokus– Bota.al/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: