TIRANE– Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me burg përjetë Ferdinand Rukon, i cili vrau bashkëshorten e tij duke e hedhur nga dritarja e tualetit të apartamentit ku jetonin, në qytetin e Fierit.

Por Ruko përfitoi ulje të dënimit, me 35 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Gjykata e Krimeve të Rënda, pranoi muaj më parë kërkesën për gjykim të shkurtuar, pasi i pandehuri shprehu pendesë për krimin.

Ferdinand Ruko ka pranuar para 2 muajve përpara hetuesve se, hodhi gruan Liljana Ruko nga dritarja pas një sherri që pati me të. “Dyshoja tek gruaja ime, u zumë dhe debatuam ashpër. E futa në banjë, e zhvesha, e rraha dhe pastaj e hodha nga dritarja”, ka thënë para hetuesve 52-vjeçari.

Por familjarët e gruas kanë reaguar ashpër pas këtij vendimi. Vëllai i së ndjerës tha se “ky është një vendim i turpshëm, duhet të dënohej me burg përjetë”.

Krimi tronditës ndodhi në dhjetor të vitit 2016, ku pas një debati me bashkëshorten, Ruko e hodhi të shoqen 43-vjeçare, nga dritarja e banjës së katit të katërt në banesën e tyre në lagjen “Kryengritja” në Fier. Si pasojë, gruaja gjeti vdekjen e menjëhershme.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: