TIRANE- Zyrtarë të lartë të shtetit, personalitete të shquara, akademikë, politikanë dhe qytetarë zhvilluan sot homazhe në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, në nderim të albanologut të shquar, Robert Elsie.

Trupi i albanologut Robert Elsie, i cili u nda nga jeta më datë 2 tetor, ka mbërritur sot në vendin tonë rreth orës 11:30. Ai do të prehet në Alpet Shqiptare, pasi ky ishte dhe amaneti i albanologut që la gjurmë në historinë botërore.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta bëri homazhe në Bibliotekën Kombëtare në nderim dhe respekt të albanologut të shquar, përkthyesit, hulumtuesit dhe studiuesit të letërsisë e folklorit shqiptar, Robert Elsie. Presidenti Meta vendosi një kurorë me lule, bëri homazhe dhe u përul në shenjë mirënjohjeje ndaj veprës së vyer dhe kontributit shkencor e intelektual të të ndjerit, Robert Elsie.

Presidenti i Republikës u shpreh para mediave të pranishme se “do t’i jemi mirënjohës përjetë Robert Elsie për gjithçka ka bërë me dashuri dhe pasion për promovimin e kombit tonë, të vlerave tona më të mira kulturore, historike, për zhvillimin e albanologjisë, për gjithçka.

Pa dyshim, në mënyrë të veçantë edhe për zgjedhjen e tij për t’u përjetësuar si shqiptar dhe për t’u prehur përjetësisht në Alpet e Shqipërisë, në Theth duke treguar kështu dashurinë e pafund për vendin tonë dhe duke na mësuar të gjithëve që ta duam më shumë Shqipërinë”. Trupi i albanologut Robert Elsie do të niset drejt qytetit të Shkodrës, për t’u prehur përjetësisht në Alpe.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb