TIRANE- Një ditë pasi gjithë opinioni publik u trondit nga një krim çnjerëzor në Korçë, ku Naum Toshi mbyti në gjumë dy fëmijët e tij të vegjël, e më pas u var me litar, hetuesit e ngjarjes thonë paraprakisht se 41-vjeçari e ka kryer krimin më çnjerëzor të dëgjuar kohët e fundit në kushtet e tronditjes psikologjike. Konfliktet që kishte me gruan 17 vite më të re se vetja, fakti që ajo e kishte braktisur së fundmi, pasi ai nuk pëlqente punën e saj në një lokal nate mësohet ta ketë çuar deri në çmenduri korçarin, i cili ka zgjedhur më pas mënyrën më të keqe për tu “hakmarrë” ndaj “papërgjegjshmërisë” së gruas.

Por si nisi historia e Marsela dhe Naum Toshit? Burime të “Gazeta Shqiptare” thonë se çifti ishin martuar 5 vite më parë, ndërsa problemet mes tyre nisën pikërisht në momentin që Marsela nisi të punonte si kameriere në një klub nate, fakt që 41-vjeçari nuk e pranoi kurrë.

Ata janë njohur në Athinë, në një kohë të vështirë për Marselën e cila jetonte bashkë me djalin e saj të vogël pa asnjë mbështetje dhe e divorcuar nga bashkëshorti i parë. Vajza nga Fieri ishte bërë nënë në moshë të re, ndërsa Toshi e kishte ndihmuar, ndonëse ajo nuk kishte dokumente për të qëndruar në Greqi.

Më pas nga martesa e tyre 4 vite më parë kishin sjellë në jetë edhe djalin e tyre.

Sipas të afërmve, ndonëse Naumi kishte zgjedhur të kthehej në Shqipëri, gruaja e tij nuk e kishte harruar Greqinë, madje ishte larguar disa herë nga shtëpia duke ia lënë fëmijët këtij të fundit, me arsyetimin se shkonte për të punuar. Një gjë e tillë nuk është toleruar nga i shoqi, i cili arriti deri në çmenduri, mbyti fëmijët dhe vari veten.

Mendohet se 41-vjeçari e kishte paramenduar krimin monstruoz, duke qenë se 41- kishte lënë edhe një letër sqaruese për të atin Andrea Toshin, aty ku i shpjegonte arsyet pse po vendoste të ikte nga kjo botë. News 24 dhe BalkanWeb zbardhën letrën, në të cilën thuhej: “Ngjitu lart dhe shiko! Babi unë nuk të pyeta kur e mora gruan dhe s’po të pyes as tani pse po iki! Po i jap fund jetës dhe fëmijët po i marr me vete! Ajo mori rrugë tjetër! Nuk më dëgjoi që të kthehej pranë familjes dhe të hiqte dorë nga jeta e rrugës! Nuk u kujdes asnjëherë për fëmijët! Asnjëherë nuk pyeti nëse ushqeheshin apo jo! Ajo shkatërroi çdo gjë! Dhe unë ndaj po iki bashkë me fëmijët e mi!”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb