TIRANE– Komuniteti Mysliman Shqiptar e ka pezulluar hoxhën që u akuzua për fshehje të krimit, pasi 21-vjeçarja Mariana Cmeta i kishte treguar se kishte helmuar vjehrrën e saj. Hysen Shehu shërbente në xhaminë në Qytetin Studenti në Tiranë, por praktikonte edhe shërimin e sëmundjeve të ndryshme në banese, ku edhe regjistroi rrëfimin e nuses që vrau vjehrrën duke e helmuar me fostoksinë.

Hysen Shehu është hoxhë në Xhaminë e Çollakëve në Qytetin Studenti. Por në kohën kur nuk është në xhami, ai ndihmon njerëzit që mendojnë se janë prekur nga magjitë. Në faqen e tij në “Facebook” ai ka publikuar edhe një listë të problemeve që ai zgjidh duke kënduar vargjet e Kuranit.

Aktualisht ai ndodhet në qeli i akuzuar për moskallëzim krimi. Shumica e njerëzve nuk pranojnë të flasin për hoxhën, por ata që kanë patur kontakt me të e vlerësojnë.

“Për ne ka qenë shumë i mirë, korrekt. Edhe njëherë kur mu sëmur mua nusja, ai e bëri njeri. Edhe vëllain ai e solli në vijë, gocën e hallës. U këndoi me gjërat e veta për t’i larguar xhindët. Si në xhami”, thotë një i ri.

Shpresa Abdullai e afërme e viktimës Lirie Lami, e njeh hoxhën për famën e tij. “Si hoxhë ka bërë shumë mirë”, thotë ajo.

Hoxha Hysen Shehu, njihet nga Komuniteti Mysliman Shqiptar. “Ka qenë hoxhë i emëruar që nga 2015-a dhe shërbente tek xhamia e Çollakeve në Qytetin Studenti. Ne kemi marrë masën e pezullimit deri në momentin që Gjykata të marrë masën e lirimit nga akuzat”, u shpreh Ylli Gura, Myftiu i Tiranës.

Por a mban përgjegjësi Komuniteti Mysliman për veprimtarinë që ushtronte në shtëpinë e tij hoxha i Xhamisë së Çollakëve?

“Përgjegjësia e Komunitetit është brenda Xhamive në raport me shërbimet që japin brenda këtyre edhe besimtarët. E aspak në raport me shërbimet personale apo private që japin arta në shtëpinë e tyre. Më e mira është që aktivitete të tilla duhet të certifikohen”, tha Ylli Gura.

Hoxhë Hysen Shehu deklaroi në Gjykatë se nuk ja lejonte feja ta publikonte rrëfimin e besimtares.

“E para është shenjtëria e jetës dhe shenjtëria e privatësisë. Nuk ka në kornizën e fesë tonë moskallëzim për vepra të tilla penale. Çdo hoxhë mban përgjegjësi për çdo veprim apo mosveprim që bie ndesh me legjislacionin ne fuqi”, shton Ylli Gura.

Hoxha ishte në dijeni të një vrasjeje prej një viti dhe kishte edhe prova, të cilat nuk i referoi në organet kompetente, duke u akuzuar sot për moskallëzim krimi./tch/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb