Organizata për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch”, me seli në Shtetet e Bashkuara, u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara që të kompensojnë individualisht pjesëtarët e komunitetit rom në Kosovë, që kanë pësuar nga qëndrimi në një zonë të kontaminuar në veriun e Kosovës pas luftës së vitit 1999.

Në një raport të kësaj organizate të publikuar të enjten, thuhet se dështimi i OKB-së për të kompensuar viktimat e helmimit me mbetje të plumbit, i ka lënë familjet të vuajnë në përpjekjet e tyre për përkujdesje.

Afërsisht 600 pjesëtarë të komunitetit rom, që ishin larguar nga shtëpitë e tyre pas luftës së viteve 1998-1999, ishin vendosur në kampe të improvizuara të administruara nga Misioni i Kombeve të Bashkuara, në Zhikoc, Çeshminlug, e Osterode në veriun e banuar me shumicë serbe, afër kombinatit metalurgjik Trepça, përkatësisht në zona të ndotura me mbetje industriale.

Human Rights Watch, thotë se bazuar në intervistat me viktimat e kontaminimit, mjekë, avokatë dhe organizata që mbështesin komunitetin rom, “shumë nga të prekurit, përfshirë fëmijët po përballen me një mori problemesh shëndetësore, përfshirë edhe sëmundjet e veshkave e humbje kujtese – të gjitha efekte afatgjata të helmimi me plumb”.

Kampet janë braktisur përfundimisht në vitin 2010 dhe banorët janë vendosur në zona tjera, pjesa më e madhe në pjesën jugore te Mitrovicës, të banuar me shumicë shqiptare.

Organizata kujton se Paneli Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut në Kosovë në vitin 2016 kishte thënë se Kombet e Bashkuara duhet të kompensojnë pjesëtarët e komunitetit rom që kishin qëndruar në kampe. Në një vendim të atij paneli thuhej se “Kombet e Bashkuara duhet të kërkojnë ndjesë publike dhe të ofrojnë kompensim për dëmtimet materiale e morale”.

Por, thuhet në raport, pavarësisht rekomandimeve, Kombet e Bashkuara në muajin maj thanë se do të krijojnë një “fond vullnetar të mirëbesimit” për të mbështetur projektet për ndihmë komuniteteve rome, ashkali e egjiptase, por pa kërkuar falje publike dhe pa marrë përsipër përgjegjësinë.

“OKB-ja duhet t’i jap fund injorimit të këshillave të ekspertëve të saj dhe të kompensojë njerëzit që vuajnë dëmtime afatgjata dhe vështirësi për shkak të mangësive të OKB-së”, tha Katharina Rall, hulumtuese e mjedisit në Human Rights Watch. “Si mundet OKB-ja të ushtrojë trysni mbi qeveritë që të marrin përgjegjësinë për shkeljet e tyre, nëse nuk e bën gjënë e duhur për dëmet që i ka shkaktuar vet”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: