DURRËS- Një ditë më parë Evisa Preka mori lajmin më të hidhur të jetës së saj, atë të humbjes së njerëzve më të dashur, bashkëshortit dhe tre fëmijëve, në aksidentin tragjik të pak ditëve më parë në Velipojë. Ndërsa askush s’ka pasur guxim, barra e rëndë i ka mbetur të atit 73-vjeçar të Evisës.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj ka mundur të kontaktojë ekskluzivisht për “News 24” dhe “BalkanWeb” me Nuredin Likën, 73-vjeçarin që endet dyerve të spitalit të Durrësit pa ditur si t’i japë ndihmë vajzës së tij.

“Askush nuk e mori përsipër, Zoti më dha forcë dhe ia thashë unë”,- thotë ai mes lotëve, siç raporton “BalkanWeb”.

Sa për gjendjen e saj, i moshuari shprehet se ajo vetëm qan e mjekët e mbajnë nën efektin e qetësuesve.

“Vajza ndjente se diçka e keqe kishte ndodhur. Evisa pa të shoqin dhe 2 fëmijët në tokë pas përplasjes, shpresonte që vajza e madhe të ishte mirë, sapo zgjohet kërkon fëmijët, i japin ilaçe…është në gjendje shoku”,- thotë ai mes lotësh.

Siç raporton për “BalkanWeb” gazetarja Haxhiaj, Evisa që prej fundjavës është shtruar në spitalin e Durrësit në repartin e Ortopedisë, ndërsa pranë shtratit nuk i ndahen për asnjë moment dy prindërit dhe vëllezërit e saj.

Ai thotë se përveç humbjes së mbesave e nipërve, një tjetër dhimbje ju vret zemrën edhe më shumë: Indiferenca e shtetit për nënën që humbi të gjithë familjen.

“Askush nga shteti nuk ka ardhur ta shikojë këtë nënë që ka humbur gjithçka dhe po lufton me betejën e jetës”,- thotë i ati me lot në sy.

I ati tregoi se anëtarët e familjes Preka kanë qenë pa rrip sigurimi, në vend të parë ishte vajza 5 vjeçare, në vendet e pasagjerëve pas ishte Evisa, në dorë kishte djalin 6 muajsh dhe Noemin vajzën e madhe.

“Thotë që i kujtohet kur kishin dalë nga makina pas aksidentit dhe 5 vjeçarja thërriste “mami, mami”
E kishte kuptuar që dy fëmijët e vegjël nuk jetonin dhe nuk e mendonte kurrë që edhe Noemi iku. Amanet fëmijët i thoshte herë pas here.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb