TIRANE– Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka pezulluar sot gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri. Ky i fundit ndodhet pas hekurave, nën akuzën për korrupsion.

Ndërkohë, sipas ligjit, ai pezullohet deri në fund të gjykimit të tij. Pak ditë më parë Gjykata për Krimet e Rënda caktoi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për gjyqtarin

Prokuroria e Përgjithshme po hetonte gjykatësin Shkëlqim Mirin prej gati një viti, me dyshimet se ishte korruptuar nga Gentian Doda në këmbim të lirisë. Hetuesit dyshonin se ky i fundit ka paguar një shumë lekësh për gjykatësin që ndryshoi kualifikimin e vrasjes së Gazmir Dedjas në Burrel, në vitin 1997, nga vrasje, në plagosje e rëndë me dashje.

Policia i gjeti këtij të fundit një shumë të konsiderueshme parash në banesë, plot 300 milionë lekë, shumë që ka habitur edhe vetë prokurorët, por hetimi për këtë rast nuk do mbetet me kaq. Të njëjtat burime thonë se të tjerë persona, edhe gjyqtarë mund të arrestohen. Gjatë kontrollit në banesë, me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, të kryer nga strukturat e Hetimit të Korrupsinit në Policinë e Shtetit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 174,810 euro; 10,149,000 lekë dhe 1,000 dollarë.

VRASJA E BUJSHME
Gentian Doda, personi që dyshohet të ketë korruptuar gjyqtarin Shkëlqim Miri në këmbim të lirisë ka qenë i ekstraduar kohë më parë nga Los Anxhelos, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja kanë qenë anëtarë të grupeve rivale në Burrel, konflikti ndërmjet të cilëve ka vijuar për shumë vite dhe me shumë viktima. Ditën e ngjarjes së vitit 1997, Doda dhe Dedja janë konfliktuar verbalisht e më pas, i pandehuri e ka qëlluar me automatik, duke e plagosur rëndë. Nga plumbat ka mbetur i vdekur aksidentalisht Asllan Gjoka. I plagosuri ka mundur të mbijetojë vetëm dy ditë për shkak të plagëve të marra, por ka arritur t’u tregojë familjarëve se kush e kishte qëlluar, duke identifikuar Gentian Dodën.

VENDIMET E GJYKATËS PËR GENTIAN DODËN
Pasi ishte gjykuar një herë dhe dënuar në mungesë me 20 vite burg, në vitin 2012, Doda ekstradohet, nga SHBA dhe kërkon rigjykim të çështjes. Por në vitin 2013, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën duke lënë në fuqi dënimin me 20 vite burg. Por Doda nuk hoqi dorë, duke e çuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit e riktheu çështjen në Gjykatën e Lartë, e cila këtë herë pranoi kërkesën e autorit të dyshuar të dy vrasjeve për rishqyrtim të çështjes. Për më tepër Gjykata e Lartë urdhëroi rigjykim në Gjykatën e Matit në vitin 2015 me një tjetër trupë gjykuese nga e hera e parë për Dodën. Në vitin 2016, Gjykata e Matit dha vendimin me 8 vjet burg për Gentian Dodën, i cili sërish nuk ishte i kënaqur dhe apeloi vendimin. Gjykata e Apelit ndryshoi akuzën, në ‘plagosje me dashje’. Por kjo gjë është kundërshtuar nga organi i akuzës. Më 10 korrik 2017 Prokuroria e Apelit bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar prishjen e 2 vendimeve të mëparshme përfshi vendimin e gjyqtarit Shkëlqim Miri dhe dënimin me 20 vjet burg për vrasje.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb