Nga: KLODIANA HAXHIAJ*
DURRËS- “Dy vajzat e mia më bënë hatanë. Më vodhën paratë, bizhuteritë e gjithçka tjetër dhe më pas i vunë zjarrin shtëpisë dhe ikën pa adresë. Policia dyshon se vajzat na helmuan mua, bashkëshorten dhe vajzën tjetër. Jam i shokuar nga e gjithë kjo. Por ajo që më trondit më shumë është fakti se dy vajzat e mia kanë tri javë që janë zhdukur dhe ne nuk dimë asgjë për fatin e tyre”. Kështu u shpreh dje Hyqmet Kajtazi, babai i 18-vjeçares Orialda Kajtazi dhe i 14-vjeçares K.Kajtazi, të cilat janë larguar pa adresë që prej datës 15 korrik. 51-vjeçari u shpreh se ngjarja është mister dhe se nuk dyshon tek asnjë njeri, pasi nuk ka konflikte apo hasmëri. Ndërkohë, në një intervistë dhënë për “Gazeta Shqiptare”, kryefamiljari akuzoi policinë dhe prokurorinë e Durrësit se nuk kanë bërë asgjë për të kërkuar dy vajzat e tij. “Oficerët e policisë më thanë që vajzat nuk kanë ku të shkojnë se do t’ju mbarohen lekët që të vodhën e do të kthehen sërish në shtëpi. Po ku e dinë ata që vajzat kanë ikur vetë e që nuk i ka rrëmbyer njeri? Ku e dinë ata që vajzat nuk po mbahen peng nga dikush? Këtë të më sqarojnë ata të policisë dhe të prokurorisë. Në shtëpinë time janë të gjithë me lot në sy e në dëshpërim të thellë për fatin e dy vogëlusheve. I bëj apel shtetit që të më gjejë sa më shpejt vajzat”, tha Hiqmet Kajtazi.
Zoti Hiqmet mund të na thoni si ndodhi ngjarja?
Ngjarja ka ndodhur me 15 korrik, por unë prita deri sot (dje) për ta bërë publike në media, pasi prisja ndonjë përgjigje nga policia apo nga prokuroria për fatin e dy vajzave të mia. Policia thotë se vajzat ju kanë helmuar juve, gruan dhe vajzën e madhe. Po ashtu, policia dyshon se dy vajzat Orialda, 18 vjeçe dhe Klevisa, 14 vjeçe na kanë hedhur ilaç gjumi kur po hanim drekë. Ne përfunduam në spital, në Durrës dhe më pas në Tiranë, ndërsa në shtëpi kishte ndodhur hataja.
Çfarë ju ndodhi në shtëpi dhe kush ju lajmëroi?
Më lajmëroi policia, ndërsa unë erdha ashtu i sëmurë. Pashë shtëpinë të djegur, paratë e bizhuteritë e gjithçka të vjedhura. Ndërsa vajzat nuk ishin në shtëpi.
A i keni kërkuar vajzat dhe te kush dyshoni?
Po, i kemi kërkuar te të gjithë të afërmit, por asgjë. Nuk dyshoj tek asnjë dhe nuk mund të akuzoj askënd, pasi nuk kam konflikte dhe asnjë lloj hasmërie.
Në dijeninë tuaj, a kanë vajzat ndonjë lidhje dashurie?
Jo. Në dijeninë time jo, sepse janë vajza shtëpiake të padala. Nëse kanë pasur ndonjë lidhje me telefon me ndonjë djalë a me rrjetet sociale, këtë nuk e di, sepse nuk kam nga ta di këtë gjë. Nëpërmjet telefonave dyshoj që mund t’i ketë gënjyer dikush. Unë nuk e di se si ka qenë puna. Nuk di nëse i kanë marrë peng, nëse i kanë mashtruar, nëse janë brenda apo jashtë vendit. Asnjë nuk di të më thotë asgjë.
Po policia dhe prokuroria çfarë ju kanë thënë?
Jam i zhgënjyer tërësisht, pasi ata më thanë që do t’i gjenin shpejt, me anë të telefonave, por asgjë nuk është bërë deri tani. Kam shkuar disa herë në prokurori, tek prokurori i çështjes, Ndriçim Troplini, por nuk më ka pritur. Nuk më kanë lejuar të hyj e të sqarohem. Këta të policisë, që i kisha varur shpresat më thanë që vajzat do të të vijnë vetë në shtëpi, kur t’u mbarohen lekët. Ku e dinë ata? Pse flasin me siguri dhe si mund ta thonë këtë gjë?
Vajzat shkonin në shkollë?
Po e vogla, Klevisa është në shkollë. Mbaroi klasën e 8-të dhe futet në klasë të 9-të. Ndërsa Orialda e ka lënë në mes shkollën e mesme. Ajo ishte e fejuar me një djalë këtu në lagje dhe para dy vitesh e prishi fejesën dhe nuk shkoi më në shkollë.
A jeni takuar me familjen e këtij djalit dhe a keni dyshime për të?
Përjashtoj çdo mundësi që ai djalë të ketë gisht në këtë ngjarje. Nuk kanë asnjë lloj lidhjeje dhe jam i sigurt që nuk ka qenë ai. Policia ka dalë me versionin se vajzat kanë ikur me dëshirë nga shtëpia. Ku e bazon këtë gjë policia? Kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse ne nuk e dimë se cila është e vërteta, përderisa vajzat nuk janë gjetur që prej tri javësh.
Gjatë gjithë kësaj kohe a ju kanë kontaktuar vajzat në telefon?
Dje pasdite (të martën) më mori një numër i panjohur në telefon. E hapa telefonin, por nuk m’u përgjigj njeri. Pata përshtypjen se personi që i ra telefonit tim më dëgjonte, por nuk fliste.
Çfarë bëtë më pas?
Sot (dje) shkova sërish në polici, por ata zyrës së informacionit nuk më përfillën fare, ndaj u zura me ta.
Çfarë kërkoni ju?
Unë si prind e qytetar kërkoj që policia e prokuroria të merren seriozisht me hetimin. Tri javë të zhdukura 2 vajza adoleshente dhe të mos dinë asnjë gjë? Kjo është e pafalshme. Unë me të drejtë pyes a ka shtet këtu apo jo. Si nuk i gjejnë dot vajzat e mia. Mendoj se e kanë lënë pas dore këtë çështje, duket sikur nuk kanë interes ta zbardhin ngjarjen.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: