ELBASAN- Afërdita Zaimaj nëna e Klodian Zaimaj, teologut dhe pedagogut të arrestuar në Malajzi si i dyshuar për lidhje me ISIS, ka pësuar gjendje shoku pas publikimit të lajmit në media.

Gazetari Fatmir Popja ka qenë në banesën e saj në Cërrik për të biseduar në lidhje me arrestimin e të birit, për të cilin Afërdita ka thënë se është i pafajshëm, raporton “BalkanWeb”. I janë dashur disa minuta të marrë veten e më pas të mund të flasë për ngjarjen ku është i përfshirë i biri i saj Klodiani.

aferdita zaimi2

“Më hyni në derë për mirë jo kështu o gazetarë… O zot dolëm në gazetë, në histori”, dëgjohen të qarat e saj, ndërsa disa të afërm i rrinë pranë me alkool në hundë.

aferdita zaimi

Mes lotësh ajo ka mohuar që ngjarja të jetë e vërtetë. “Jam e bindur se kjo është kurth i ngritur nga Malajzia e Shqipëria. Për tim bir të gjithë kanë respekt, të gjithë. Klodiani nuk e bën kurrë diçka të tillë, pra që të përfshihet në terrorizëm”, deklaroi për “BalkanWeb” Afërdita Zaimaj. Ajo ka këmbëngulur se e gjitha është një kurth, pasi sipas saj atë e kishin zili.

“Djali im nuk është nga ato. Nuk  e kam djalin të tillë, ai është me doktoraturë. Më besoni, me lekët e pensionit kam blerë tapetin, se më vdiq kunati. Djali shtyu dhjetë ditë lejen për të vajtur në Malajzi. Më ka ikur Klodiani, më ka dalë në orën 4 nga dera, i bëri mami drekën. Për të kanë respekt të gjithë, shkoni e pyesni ku të doni. Unë jam pa bukë. Ai ka ikur nga shtëpia më datë 30 shtator. Ky është kurth, shkatërrim familjeje me katër fëmijë. Klodianin tim e thërrasin më shumë “Ibrahim” se Klodian sepse është mysliman. Ky është kurth, o nga Malajzia, o nga Shqipëria se i ka zënë dikujt vendin. Ka dalë nga shtëpia që 16 vjeç. Mendoj se është kurth se ka zili, dy-tre persona i kemi dëgjuar. Nuk ja dëshiroj këtë siklet askujt. Shpresoj që e vërteta të dalë në shesh”, thotë dhe lutet Afërdita.

ARRESTIMI
Policia malajziane ka njoftuar ditën e sotme se 8 persona janë vënë në pranga pasi dyshohet se kanë lidhje me celulën terroriste të ISIS. Mes 8 të prangosurve, është edhe një shqiptar, me profesion pedagog në një universitet publik në Shqipëri.

Pesë nga militantët, raporton “Russai Today” që kanë lidhje me grupin Abu Sayyaf (ASG), me bazë në Filipine, u ndaluan pas një aksioni të madh në tre shtete”, – tha një inspektor i policisë vendase në Malajzi.

Ky i fundit tha se një 35-vjeçar shqiptar, i cili është lektor në një universitet publik në Shqipëri, është arrestuar gjithashtu në Selangor më 1 tetor. “Sipas hetimeve doli se ai ka lidhje me militantët e Shtetit Islamik jashtë shtetit,” tha ai.

Malajzia, e cila ka kryer së fundi qindra arrestime të militantëve të dyshuar të Shtetit Islamik në vitet e fundit, nuk ka vuajtur ende një sulm madhor, raporton Russia Today.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb