Policia ka vënë në pranga pronarin e varrezave të makinave që bleu makinën e taksistit të vrarë në Kavajë. 45-vjeçari Alush Batusha, banues në Rrogozhinë bleu makinën nga 24-vjeçari Musa Saraçi, i cili i preu fytin me thikë taksistit Idriz Karriqi për t’i vjedhur sendet personale.

Sipas policisë, Batusha pak orë pas ngjarjes bleu nga autori i vrasjes automjetin tip “Mercedes Benz” kundrejt një shume monetare prej 27 mijë lekësh, pa mbajtur asnjë dokumentacion që vertetonte pronësine e mjetit.

Autori i vrasjes qëlloi me thikë në fyt taksistin 65-vjeçar dy ditë më parë në fshatin Gerth për t’i grabitur sendet personale dhe paratë. Pasi e vrau dhe i mori makinën, rrugës për në fshat, Saraçi humbi kontrollin e taksisë duke rënë në kanal.

Në ato kushte, ai njoftoi të njohurin e vet që kishte varrezë makinash dhe ia shiti për çmimin e ulët 270 mijë lekë të vjetra.

 (e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb