TIRANE- Një 37-vjeçar ka ndërruar jete teksa transportohej nga burgu 313 për në spitalin ‘Nënë Tereza’. Bëhet fjalë për shtetasin Alban Kapllanaj, ndaj të cilit ishte vendosur masa ‘arrest me burg’.

Lidhur me ngjarjen e rëndë ka reaguar Drejtoria e Burgjeve. Kjo e fundit përmes një njoftimi zyrtar sqaron se 37-vjeçari, që punonte ndihmës kuzhinier, kishte humbur jetën pas një infarkt miokardi.

NJOFTIMI I DREJTORESISE
Në datë 21 mars 2018, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale 313 në Tiranë, shtetasi me inicialet A.K., 37 vjeç, me masë sigurie “Arrest me burg”, ka humbur jetën teksa transportohej për në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, ku ishte dërguar për ndihmë mjekësore.
Mëngjesin e sotëm ky shtetas është paraqitur në kuzhinën e IEVP, pasi punonte aty si ndihmës kuzhinier. Rreth orës 07:45 ai është kthyer në dhomën e tij, duke u shprehur se nuk ndihej mirë.
Rreth orës 08:25 punonjësi i sigurisë së sektorit ka njoftuar stafin shëndetësor se i paraburgosuri nuk ndihej mirë dhe menjëherë në dhomën e tij kanë shkuar dy ndihmësmjekë, të cilët i kanë dhënë ndihmën e parë mjekësore.

Pak minuta më pas shtetasi A.K. është nisur me urgjencë për në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, por ka humbur jetën gjatë rrugës.
Paraprakisht mjekët mendojnë se i paraburgosuri ka kaluar një infarkt miokardi.
Ekspertiza mjeko-ligjore do të përcaktojë saktësisht shkakun e vdekjes së shtetasit A.K.
Referuar informacioneve të shërbimit mjekësor të burgut dhe verifikimit të kartelës së tij klinike rezulton se ky shtetas nuk ka paraqitur probleme shëndetësore që nga momenti i ardhjes në IEVP e deri në ditën e sotme.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: