Neymar Jr, që prej 25 shkurtit i ka ndërprerë marrëdhëniet me fushën e gjelbër pasi braziliani theu metarsalin e 5 të këmbës së djathtë në sfidën kundër Marseille-s.

Pak ditë më vonë ai vendosi që t’i nënshtrohej operacionit dhe prej asaj kohe vijon të rikuperohet në vendlindjen e tij. Te Parisi nuk janë shumë të shqetësuar pasi matematikisht e kanë siguruar kampionatin, por në ankth për formën që do të ketë lojtari në vazhdim janë tifozët e Brazilit, të cilët presin që 26-vjeçari t’i udhëheqë në Botërorin rus.

Gjithsesi tifozët e Brazilit duhet të qëndrojnë të qetë, pasi vetë futbollisti në një intervistë të fundit ka garantuar se do të jetë në formën optimale për Botërorin.

“Mendoj që e kam kohën e mjaftueshme për t’u shëruar dhe për të nisur përgatitjet për Botërorin. Dëmtimi ishte i rëndë, por kam pushuar. Kjo është ana pozitive e kësaj ngjarjeje të keqe për mua.”

26-vjeçari e ka shpjeguar më në detaje programin e tij, kthimin në fushën e blertë dhe në Paris. Më 17 maj do bëjë vizitën e fundit mjekësore, për të marrë miratimin përfundimtar të mjekësve për nisjen e përgatitjeve.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: