Dokumente të policisë greke të para nga BIRN tregojnë se 44-vjeçari, aktualisht drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit në Sarandë dhe biznesmen në këtë qytet, është shpallur në kërkim nga autoritetet greke, i dyshuar si drejtues i një grupi trafiku ndërkombëtar lëndësh narkotike. Policia shqiptare thotë se “operacioni po vijon”, si dhe janë zbukuar emrat e dy bashkëpunëtorëve të tij Petro Dalanaj, dhe Kleanth Palaj.

Policia greke kreu një operacion masiv gjatë ditëve të fundit, duke arrestuar një dyzinë njerëzish dhe duke konfiskuar rreth 678 kilogramë marijuanë të fshehur në një ishull të vogël në Greqinë e Veriut.
Sipas skemës së zbuluar nga policia greke, trafikantët përdornin skafe të shpejta për të transportuar marijuanën nga Shqipëria për në Greqi e më pas, përdornin kompani transporti rrugor false për të transportuar drogën në vende të tjera Europiane.

Dokumente të policisë greke të para nga BIRN tregojnë se Balili është shpallur në kërkim, i dyshuar si një nga krerët e grupit të trafikut.

“Të akuzuar për shkelje të ligjit N433/13 për “lëndët narkotike”, ligjit187 të kodit penal të “Organizatave Kriminale” dhe të nenit 8 Kodit Penal “Krimet e kryera në shtetin fqinj” të akuzuar por jo të arrestuar janë tre persona, ndër ta dhe Klement Balili i Sabaudinit dhe Nazes lindur në 20/03/72 në Shqipëri dhe banues në Sarandë për shkeljet e mësipërme”, shkruhet në dokumentet e policisë greke.

“Për transportin e lëndës narkotike (kanabis të papërpunuar) nga Shqipëria në Greqi dhe Europën Lindore, Balili kishte rolin e sponsorit dhe të organizatorit dhe drejtonte transportin në sasi shumë të mëdha me rrugë tokësore me kamiona të mëdha dhe nga deti me skafe. Krahu i tij i djathtë që merrej me transportin dhe magazinimin nga Greqia e tutje ishte Alifandi Georgio,” vijon më tej dokumenti. Në regjistrin civil shqiptar i njëjti shtetas duket se ka emrin Kelmend Balili.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: