TIRANE- Pas transmetimit të emisionit investigativ “Fiks Fare”, ku shfaqej një punonjës i Komisariatit të Policisë nr. 1 në Tiranë, duke marrë ryshfet për një vërtetim azili, ky i fundit është pezulluar. Burime nga Policia e Shtetit njoftojnë se Lek Marku, ndihmës Specialist i Policisë së Zonës, dyshohet për shkelje në detyrë.

Drejtori i Policisë së Shtetit menjëherë ka urdhëruar pezullimin nga detyra të punonjësit të Policisë, me gradën “inspektor”. Ndërkohë, Drejtoria e Standarteve Profesionale, ka nisur hetimin disiplinor “për shkelje të rëndë”. Po në lidhje me këtë ngjarje, edhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të provuar nëse ka apo jo elementë të veprës penale.

Policia e Shtetit falënderon median dhe i fton ato dhe qytetarët të denoncojnë çdo rast abuziv të punonjësve të Policisë me detyrën, duke garantuar se do të veprohet me shpejtësi dhe ashpërsinë e ligjit. Në videon e publikuar mbrëmjen e sotme, policia i kërkoi një qytetari 200 euro për një vërtetim azili.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb