TIRANE- Një ngjarje aspak e zakontë ka ndodhur ditën e sotme në fillim të rrugës “Mylsym Shyri” në kryeqytet e cila ka habitur jo pak banorët e zonës. Fëmija 10-vjeçar nga komuniteti rom, teksa po kërkonte lëmoshë, është përballur me dhunën e një prej drejtuesve të automjeteve. Lajmi bëhet i ditur për ‘BalkanWeb’ nga burime pranë bashkisë së Tiranës.

Pasi e ka ofenduar fillimisht të miturin, drejtuesi ka dalë nga makina dhe me forcë e ka mbyllur atë në një prej kazanëve të destinuar për hedhjen e mbeturinave. Menjëherë me marrjen e njoftimit nga banorët, në vendngjarje mbërritën me shpejtësi punonjësit e Policisë Bashkiake, të cilët bënë të mundur nxjerrjen dhe dërgimin e fëmijës në Komisariatin Nr.2 të Policisë së Shtetit.

Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike si pasojë e dhunës së ushtruar, u lajmërua edhe psikologu, ndërkohë që ka nisur puna për sekuestrimin e pamjeve filmike të cilat do të lehtësojnë identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: