FIER- Një mësuese e shkollës “Zhani Ciko” në Patos është bërë shënjëstra e radhës e një atentati me ekzploziv. Ngjarja u shënua rreth orës 1:30 në lagjen “1 Maj” ku mjetit tip “Nissan”, në pronësi të Eriselda Agalliu, me profesion mesuese, iu vu një sasi ekspozivi në pjesën e përparme.

Agalliu e kishte parkuar mjetin e saj pranë banesës, por shpërthimi ka qenë i fuqishëm duke tronditur banorët e lagjes. Për pasojë mjeti është dëmtuar pjesërisht ndërsa fatmirësisht nuk ka patur të lënduar.

Gazetari Ervis Kuçi raporton për “BalkanWeb” se në momentin e ngjarjes, mesuesja dhe djali i saj i vogël 5-vjeçar, kanë qenë në gjumë.

“Jam shumë e shqetësuar dhe nuk më lidh asgjë me atë që ka ndodhur”. Kështu është shprehur jashtë kamerave mësuesja Eriselda Agalliu. Tepër e tronditur nga ajo çka ka ndodhur, ajo ka treguar se gjithçka e ka deponuar në polici, në deklaratën që ka zgjatur rreth katër orë.

“Nuk kam asnjë konflikt. Nuk e lidh dot me asgjë ngjarjen. Di të them vetëm që jemi tronditur shumë. Djali i vogël është trembur shumë dhe unë nuk jam në gjendje të lidh asgjë. Ja lë në dorë policisë të zbulojë gjithçka. Ka marrë kamerat e sigurisë që janë në të gjithë zonën dhe po i verifikon. Policia ka të gjitha deklaratat e mia. Në kamerat e sigurisë duket një makinë që kalon dhe parkohet për tre minuta pranë makinës sime e më pas largohet. Duhet verifikuar çdo gjë. Ka shumë mundësi të jetë ngatërruar edhe makina. Të bëhet sa më shpejt gjithçka duhet. Nesër do të shkoj si çdo ditë në punë, nuk fshihem nga askush”, rrëfeu mësuesja.

E ndërsa vetë mësuesja nuk ka pranuar të flasë përpara kamerave, banorë të lagjes dhe tregtarë që ushtrojnë aktivitetin pranë shtëpisë së saj janë shprehur se mësuesja nuk është njeri problematik, madje ajo dhe familjarët e saj gëzojnë respekt dhe janë një familje e nderuar.

Por shpërthimi i sotëm ka qenë aq i fortë sa ka tronditur të gjithë lagjen.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb