Zërat për një transferim të Mauro Icardi-t te Real Madrid çdo ditë e më shumë po shtohen pasi faza ofensive e “galaktikëve” po has probleme këtë sezon. Por për të qetësuar tifozët e Interit mnedon jo më pak se një njeri kompetent te gjigandët e “La Liga-s”, trajneri Zinedin Zidan. Francezi i siguron zikaltërit se të paktën në janar Real Madrid nuk do të bëjë përforcime në sulm.

“Nuk dua sulmues të rinj në skuadër në janar dhe nuk kam ndërmend t’ua bëj një kërkesë të tillë drejtuesve të Realit të Madridit”, tha Zinedine Zidane. “Benzema është rikthyer dhe është në një gjendje të mirë. Për merkaton e verës do të shohim e bëjmë”, tha më tej francezi.

Prej dy muajsh po flitet për mundësinë e kalimit të Icardit te Reali i Madridit, edhe pse futbollisti jo pak herë ka shfaqur dëshirën e tij për të qëndruar në Milano.

Historia e treguar në media të ndryshme, sidomos ajo spanjolle, flet për dëshirën e kampionëve të Spanjës për të përforcuar repartin e sulmit sezonin e ardhshëm, madje sipas “Marca”-s, ata shfaqën dëshirën për të shfrytëzuar klauzolën e zgjidhjes së kontratës së argjentinasit.

Por në krahun tjetër, Interi ka bërë të ditur se askush nga Reali nuk ka shfaqur interes për Icardin, pa harruar këtu faktin se klauzola e kontratës së futbollistit nuk ka asnjë vlerë për merkaton e muajit janar.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb