Nga Idomenia, Greqi: ANILA JOLE*

Idomeni… Pakkush ia kishte dëgjuar emrin këtij fshati të Greqisë përpara se të shpërthente kriza e refugjatëve të Lindjes së Mesme. Eshtë fshati grek në kufi me Maqedoninë, rreth 80 km larg Selanikut, i cili është kthyer tashmë në fytyrën e një realiteti të dhimbshëm dhe turpërues për Evropën.

Prej mëse 6 muajsh, në një fushë të hapur të Idomenisë janë ngritur çadrat e mbi 10 000 njerëzve, të cilët këtu gdhijnë netët e ngrysin ditët e tyre. Në këtë kamp ndodhen pjesa më e madhe e refugjatëve që kanë hyrë në Greqi nga deti; janë ata që mësynë drejt kufirit për të kaluar drejt Maqedonisë, derisa kjo e fundit së bashku me disa shtete të tjera evropiane morën vendim të mbyllnin kufijtë për bllokuar rrugën ballkanike të kalimit të refugjatëve drejt Evropës veriore.
Kampi është një bashkësi çadrash tashmë të vjetëruara, mes baltës në dimër dhe pluhurit në diell, ku jetojnë bashkë njerëz nga Siria, Iraku, Afganistani, Pakistani etj. Kur shkuam aty na treguan se era e ditëve të fundit ua kishte rrëmbyer e shkatërruar çadrat, të cilat iu ishte dashur t’i ringrinin përsëri, por kjo nuk ishte më e keqja. Në ditë me shi, kushtet bëhen tmerrësisht të vështira.

Situata e kalonte imagjinatën. Mijëra çadra, që në secilën prej tyre jetonin 5-6 persona, mungesë totale e kushteve të higjenës, disa kuzhina të ngritura nga kisha greke dhe shoqatat humanitare, gra që gatuanin vetë në tenxhere të nxira nga zjarri, që nuk dihet ku lajnë e ku lahen, korridore të improvizuara me tela ku refugjatët viheshin në radhë për një pjatë ushqim apo për një gotë çaj, fëmijë që endeshin në përpjekje për t’u argëtuar me njëri-tjetrin, e që natyrisht nuk e kuptonin çfarë ishin duke përjetuar…
Pleq, të rinj, njerëz të çdo moshe, madje edhe të sëmurë, të vështronin me sy të ftohtë dhe me mënyrën e tyre përpiqeshin të përshkruanin situatën ku gjendeshin prej muajsh. Femra që feja i detyron t’i shmangen kamerës dhe aparatit fotografik, por që kur i pyesje kishin shumë për të thënë, sepse ishin ato që duhet të përballonin më së shumti këto kushte të tmerrshme jetese për familjet e tyre. Rreth 40 gra ishin shtatzëna, dhe pritet t’i lindin foshnjat në këtë kamp. Kur mësova këtë, rrëmbimthi me erdhi në sy fotoja që bëri xhiron e botës, ku një bebe e sapolindur lahej me ujë të ftohtë një ditë dimri….

Ditët dhe netët janë të gjata në këtë kamp ku asgjë nuk lëviz. Netët janë të vështira, të ftohta e të lagështa, ku krevat është vetëm një batanije mbi tokë, ndërsa ditët bëhen edhe më të vështira, sepse mendimet i çojnë këta njerëz larg, në vendin e tyre të shkatërruar nga lufta, tek shtëpia e braktisur apo e bombarduar, tek të afërmit që nuk jetojnë më, dhe tek e nesërmja për të cilën nuk dinë asgjë.
Njëri prej tyre, një sirian i quajtur Holms, tregoi me lot në sy se ishte larguar nga Siria, ku ISIS i kishte vrarë gjithë familjen dhe tani me atë vend nuk e lidhte më asgjë e nuk donte të kthehej…. Gjithçka dëshironte ai, ishte një vend ku të vazhdonte të jetonte e të punonte.
Ndërsa një grua gjithë zemërimin e ka me forcat e Bashar Al Assadit, si për të na ndihmuar të kuptojmë se sa e ndërlikuar është situata në Siri.

Vuajtjen, dhimbjen dhe shpresën e copëtuar të mijëra refugjatëve e lehtëson disi prania e shoqatave humanitare, të cilat sigurojnë ushqimin, bëjnë shpërndarjen e tij, mjekimin, trajtimin e fëmijëve etj. Megjithatë, kohët e fundit ato janë pakësuar si pasojë e tensionit dhe dhunës që shpërthen herë pas here mes refugjatëve të kombësive të ndryshme. Ajo që më bëri të ndihem më mirë, ishte fakti se në këtë kamp takuam disa të rinj që flisnin shqip. Janë rreth 15 vullnetarë shqiptarë, nga Kisha Ungjillore e Korçës dhe qendra bamirëse “Kennedi”, të cilët prej 2 muajsh asistojnë me ndihmën e tyre për refugjatët, por për ta askush nuk ka folur deri tani. Lorena dhe Platori tregojnë për punën e tyre të përditshme, për ndihmën që japin në ushqimin e refugjatëve, në mjekimin e tyre, argëtimin e fëmijëve etj. Ata na thonë se do të qëndrojnë në këtë kamp derisa ai të ekzistojë.
Duke vëzhguar me kujdes përreth, vërehej se ajri ishte i elektrizuar dhe njerëzit mjaft të stresuar. Iu mjaftonte një shkak i vogël që të shpërthenin në zemërim e situata të dilte nga kontrolli. Durimi në pritje të largimit që këtu, po i kalon kufijtë dhe zemërimi rritet çdo ditë. Në kamp ndodhet gjithmonë një patrullë e policisë greke për të shmangur incidentet, por refugjatët problemin e vërtetë e kanë me policinë maqedonase, me të cilën përleshen sistematikisht, kur tentojnë t’i afrohen kufirit, ashtu siç kishte ndodhur 2 ditë para pranisë sonë aty. Nuk dihet sesi apo nga kush, here pas herë në kamp lëshohen fletushka ku njoftohet hapja e kufijve të Maqedonisë, dhe pas kësaj asgjë s’mund t’i mbajë refugjatët që mësyjnë drejt telave me gjemba, ku i pret gazi lotsjellës i policisë maqedonase.
Ecim nëpër kamp dhe sa më thellë hyjmë brenda tij, aq më shumë të trishton situata. Të gjithë janë njerëz me një histori të lënë pas krahëve, në vendin e tyre, që kanë marrë rrugët e rrezikshme të detit për një jetë më të mirë, por që e gjetën veten në kurthin e Evropës, dhe tani mbeten në pritje të një dite të bekuar kur të mund të dalin prej tij. Janë të informuar për lëvizjet diplomatike evropiane, për vendimet që liderët e Evropës marrin për fatin e tyre. Madje kanë informacion edhe për Shqipërinë dhe disa e shohin si një mundësi për t’iu afruar objektivit përfundimtar.
Ata bëjnë apel që Shqipëria të hapë kufijtë, sepse që aty ata mund të shkojnë në Serbi. Madje Holms mendon se mund të jetojë në Shqipëri, pasi siç thotë, është një vend i këndshëm me njerëz të mirë …
Nga gjithë vizitorët në kamp, ata që ngjallin më shumë interes, mesa duket janë gazetarët. Duke e kuptuar rëndësinë e mediatizimit të krizës së tyre, refugjatët tentojnë të flasin para kameras, por një veprim i papritur na befasoi vërtet. Teksa intervistoja njërin prej tyre, u afruan 2 djem të cilët kishin improvizuar një kamera dhe një mikrofon me logon “TV refugjati”. Një apel origjinal ky, që mediat e botës të kthejnë më tepër objektivin nga Idomenia, ku po luhet drama e tyre… një episod që na e solli disi buzëqeshjen.
Gjatë qëndrimit tonë në kamp, rreth e rrotull kishim gjithmonë fëmijë, të cilët afroheshin me kërshëri dhe kërkonin të luanin. Ata ishin të bukur, të dashur dhe bujarë. Në mes të mizerjes dhe urisë, të ofronin buzëqeshje, dashuri, madje edhe diçka nga ushqimi i tyre…

Kaluam disa orë mes çadrave dhe kapanoneve të refugjatëve. Kameramanët tanë u përpoqën të filmonin çdo detaj që do të sillte për shikuesit të vertetën e këtij kampi, të vërtetën e krizës së refugjatëve… U përpoqëm të flasim me sa më shumë prej këtyre njerëzve, të cilët thonë se do të vazhdojnë të presin, por që nuk e duan marrëveshjen mes BE-së dhe Turqisë, sepse nuk dëshirojnë të kthehen në Turqi. Preferojnë të flejnë në tokë, mbi shinat e trenit vetëm e vetëm që një ditë të realizojnë ëndrrën e tyre, për të cilën çuditërisht ende shpresojnë, po aq sa janë edhe të pasigurt…

Këto ishin disa nga të vërtetat që ofron sot Greqia. Ky vend po përballon një ngarkesë të tillë ndërkohë që ka problemet e veta social-ekonomike, ndërsa Maqedonia nga ana tjetër është duke përjetuar një krizë të zgjatur politike. Sikur të mos mjaftonin problemet e tyre të brendshme dhe fërkimet disa vjeçare mes 2 fqinjëve, tani në mes janë edhe refugjatët, dhe palët i përdorin ata për të fajësuar njëra-tjetrën. Greqia kritikon qëndrimin e dhunshëm të policisë maqedonase ndaj refugjatëve, ndërsa Maqedonia akuzon Greqinë se nuk bën asgjë për të penguar ata që përpiqen të kalojnë kufirin, dhe kështu vëmendja largohet nga problemi i vërtetë.
Idomenia është më e madhja, por nuk është e vetmja “skenë” ku luhet drama e refugjatëve në Greqi. Rrugës për në Selanik pamë edhe kampe të tjera më të vogla dhe një situatë e tillë është në gjithë vendin, ku aktualisht ndodhen rreth 45 000 refugjatë. Ritmi i largimit të tyre drejt Turqisë (sipas marrëveshjes me BE) është tepër i ulët, ndërkohë që asgjë nuk e ndalon mbërritjen e të tjerëve nga deti në brigjet greke, ndërsa gjendja e atyre që presin prej muajsh, përkeqësohet gjithmonë e më shumë.
Luftimet në Siri nuk pushojnë dhe numri i civilëve të vrarë vazhdon të rritet në këtë vend. Në anën tjetër Evropa mbledh samite e merr vendime thuajse inekzistente ose me efekte që mezi ndihen, ndërkohë që nevoja për një zgjidhje të situatës është emergjente. Deri kur do të mund të vazhdojë kështu? Sa mund të jetojë shpresa e këtyre njerëzve?

Largohemi nga Idomenia, vendi që do të mbahet mend si kampi i dhimbjes dhe shpresës së këtyre refugjatëve, por më së shumti do të kujtohet si simboli i “dyerve të mbyllura” të Evropës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: