TIRANË- Kreu i Partisë Drejtësisë Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias për çështjen çame. Në një status në faqen e tij, Idrizi shprehet shumë i zhgënjyer duke deklaruar se Kotzias ka zgjedhur të mësojë historinë e Napoleon Zervës.

“Jam thellësisht i zhgënjyer për deklaratat e papërgjegjshme të Ministrit të Jashtëm Grek, Nikos Kotzias në Tiranë në lidhje me çështjen çame. Me sa duket z. Kotzias ka përzgjedhur të mësojë historinë e ekstremit të djathtë të Napoleon Zervës dhe jo ashtu siç ka ndodhur në të vërtetë. Qëndrimi i tij ndaj çështjes çame, duke kërkuar edhe një herë “fajtorët“ te viktimat është një qëndrim folklorik, tipik i provincializmit ballkanik dhe në kontrast të dukshëm nga qëndrimi fisnik e me vlera evropiane që mbajti një ditë më parë

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, i cili kërkoi falje për masakrat e nazizmit”, tha Idrizi.

Kreu i PDIU-së e ka pyetur Ministrin e Jashtëm grek nëse do të kërkojë falje për 5100 të vrarë e të masakruar sipas tij nga Napoleon Zerva.

“Natyrshëm lind pyetja: Po ju z. Kotzias do të kërkoni falje për 5100 të vrarë, të masakruar e të përçudnuar nga një bashkëpunëtor i nazizmit si Napoleon Zerva? Po për pjesën tjetër të dëbuar në një spastrim të pastër etnik? Për 5900 shtëpi të djegura e të shkatërruara? Për dhjetëra çamë ortodoksë të vrarë brutalisht për të dhënë shembullin të pjesa tjetër? Është turp për një përfaqësues të vendit të Aristotelit, të vijojë me një retorikë neonaziste në qendër të Tiranës. Batalioni “Çamëria” dhe batalioni “Ali Demi” janë faktet historike që askush nuk mund t’i mohojë. Ata që luftuan paepur nazistët, të cilët sot z. Kotzias i mbron me fanatizëm, janë shembulli i gjallë i luftës së drejtë të shqiptarëve të Çamërisë”, shkruan Idrizi.

Më tej ai thekson se ligji i luftës mes dy vendeve mbretëron si ligj dhe si mendësi në qeverinë greke.

“Ligji i luftës mes dy vendeve, një fantazmë historike që u miratua nga kryetari i Partisë Nacional-Socialiste Greke, Metaksas, fatkeqësisht sot mbretëron si ligj dhe si mendësi në qeverinë e re greke, që me sa duket ka humbur çdo lidhje ne antifashizmin nga buron dhe ka kaluar në përqafimin e ideve të papranueshme për Evropën.

Çdo mendje e shëndoshë beson tek drejtësia evropiane dhe jo te falimentuesit e një vendi evropian, që sot kanë humbur busullën e orientimit të tyre historik e politik”, shprehet kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: