TIRANË- Në total janë 100 objekte banimi, një dy dhe tre katëshe që do të prishen për ti hapur rrugë ndërtimit të segmentit të Unazës së Madhe që nis nga pallati me shigjeta deri në zonën e Komunës së Parisit ku lidhet me segmentin tjetër të unazës tashmë të përfunduar që zgjatet deri në Sauk.

Sipas Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit brenda dy javësh do të përfundojnë prishja e objekteve të cilat do të realizohen me mjete të mekanizuara, jo me shpërthim, e më pas IKMT do të realizojë edhe heqjen e inerteve.

Në lidhje me problemin e dëmshpërblimeve IKMT sqaron se qeveria ka mundësuar trajtimin financiar të familjeve që preken nga investimi bazuar në legjislacionin në fuqi.

Me përfundimin e çlirimit të terrenit nga ndërtimet pritet të nis edhe ndërtimi i këtij segmenti të rëndësishëm infrastrukturor që qëndron i bllokuar prej disa vitesh për shkak të protestave të vazhdueshme të banorëve që kërkonin kompensim për banesat e tyre.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: