Ilir Daja ka mbetur i zhgënjyer vetëm nga rezultati i ndeshjes me Partizanin. Për trajnerin e Skënderbeut, humbja 1-0 ishte e pamerituar dhe e ndikuar edhe nga fati. Në një prononcim për “Gol pas Goli” në përfundim të takimit, tekniku i korçarëve theksoi se lojtarët duhet ta tregojnë në këto momente mentalitetin fitues. Sipas tij, titulli tani është më i vështirë, por jo i pamundur.

Deklaratat e Ilir Dajës:
“Natyrshëm që, përveç lojës, sot kishim ardhur edhe për të marrë fitore. Nëse do të luanim sërish, do ta interpretonim ndeshjen po njëlloj. Mendoj se sot nuk kishim as fatin me vete, pasi e goditëm vazhdimisht portën kundërshtare dhe u ndëshkuam nga një gjuajtje e tyre. Unë besoj se ishim më lart se kundërshtari. Pas ndeshjes u thashë lojtarëve se jam krenar që i drejtoj”.

Titulli
“Nuk do të thosha që është e pamundur, por është vështirësuar. Është edhe një fazë e tërë dhe, nëse luajmë si sot, pse të mos besojmë? Duke parë edhe ecurinë e kundërshtarëve e kemi vështirësuar rrugën, por janë edhe 27 pikë në lojë dhe me -5 nuk kemi pse heqim dorë nga titulli. Edhe me fatin me vete, mund të besojmë”.

Motivimi
“Ne analizën e bëjmë me video dhe nëse e interpretojmë lojën kështu, nuk ka pse na bie morali. Sigurisht që duhet një motivim më i madh, pasi përveç lojës, duhet të synojmë edhe pikët. Nëse e analizojmë drejt gjendjen, nuk ka pse na lëkundet besimi. Edhe lojtarët janë të ndërgjegjshëm për situatën. Në fund të fundit, futbollistët kanë mentalitet fituesi dhe këtu tregohet”.

Protestat ndaj arbitrit
“Arbitri dha karton për një ndërhyrje të Micit në zonën e tyre, ndërsa edhe kartoni i Radasit ishte i pamerituar, pasi protestoi për një të drejtë të tij. Në këtë situatë duhet të luash më i kujdesshëm, pasi me një karton tjetër e lë ekipin me dhjetë lojtarë. Prandaj edhe ndërhyrjen tek arbitri e bëra me dashje, për ta larguar presionin nga lojtarët e për ta marrë te vetja. Tre-katër kartonë në 20 minuta janë shumë për një ndeshje të tillë. Nuk po them që arbitri e vendosi rezultatin, por futbollistët ndikohen nga kartonët për vijimin e lojës”.

Merkatoja
“Merkatoja e janarit nuk lë hapësirë të mjaftueshme për të bërë rregullime të mëdha në ekip, dhe për këtë ne kemi qenë e jemi të ndërgjegjshëm”.

Izolimi para ndeshjes
“Me sa dimë, edhe kundërshtari u grumbullua të enjten, në të njëjtën ditë si ne. Mendoj se është normale që skuadra të përqendrohet dhe të mbahet larg presionit, për ta përgatitur ndeshjen sa më në qetësi”./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: