Nga FATMIRA NIKOLLI

Akti I është zgjimi dhe vetëdija, akti II- aty jashtë, mes tyre, aty është vetmia, akti III- Ti je pishë. ‘Further Inside’, akoma më tej, akoma më në brendësi të ankthit të shoqërisë dhe zhvillimeve të saj nën ritmin e një lavjerrësi që shtyn gjithmonë e më tepër drejt sipërfaqes së ndjenjës. ‘Further Inside’, akoma më tej, akoma më në brendësi të vetmisë, dualizmit të të qenit vetëm me vetveten dhe të qenit i vetmuar mes njerëzish të tjerë. ‘Further Inside’, akoma më tej, akoma më në brendësi të dashurisë dhe dëshpërimit, gëzimit dhe marrëzisë, erosit dhe heshtjes, muzikës së zërave që ti prek, muzikës së duarve që ti sheh, muzikës së imazheve që ti kujton, çdo gjë e cila shtrihet jashtë dhe brenda teje dhe çdo moment që i jep definicion personalitetit që ke, asaj që ti je.

Ky është koncepti i veprës së Ilir Llukës, që është shpallur dje në Galerinë Kombëtare të Arteve fitues i Çmimit Ndërkombëtar Onufri XXII. Vepra në mediumin e videos vjen e instaluar në tri ekrane nën titullin ‘Further Inside’ (çka është shpjeguar si poezi me tri elemente – vizuale, muzikore dhe verbale). Vetë autori tha para mediave se vepra nuk ka synime për të përfaqësuar kontekste me anë të simbolizmave, por është një vepër e cila kërkon të ndihet dhe jo të logjikohet. Artist audiovizual, kompozitor i muzikës elektronike dhe autor software-i nga Tirana (lindur në 1984), Ilir Lluka është diplomuar për shkenca politike dhe ka studiuar në mënyrë autodidakte teknikat e kompozimit elektronik dhe përpunimeve audiovizuale, thotë njoftimi i GKA-së.

Në konferencën e mbajtur me këtë rast, drejtori i GKA-së, Artan Shabani bëri veçse një prezantim të përgjithshëm rreth këtij edicioni dhe edicioneve paraardhëse, duke sjellë në vëmendje artistët shqiptarë fitues të këtij çmimi në vite e mandej, i dha duart drejt përfaqësuesit të jurisë, i cili shpalli fituesin. Ermir Hoxha (kurator i Galerisë “FAB”) në emrin e tij dhe dy anëtarëve të tjerë të jurisë, prof. Arben Bajo(Pedagog në FAB) e Zeni Ballazhit(Kurator i GKA në Kosovë) e motivoi çmimin me këto fjali: Për arritjen e harmonizimit mes realitetit material dhe krijimit shpirtëror, servirur me një gjuhë të sofistikuar teknologjike; videoja e propozuar në tri panele, shpalos me një vizion tejet bashkëkohor konfliktin shpirtëror mes realitetit të përditshëm dhe atij të brendshëm; përveç kësaj ai propozon me audion origjinale, një poezi vizive, si një vizion sa surreal aq edhe psikologjik.

Dhe në fund tha se: “Në gjykimin e jurisë, vepra e propozuar është në linjë me konceptin kuratorial, si dhe rregulloren e aktivitetit. Ndaj, si e tillë vepra e artistit Ilir Lluka, vlen të promovohet e evidentohet mbi të tjerat për vlera të konsiderueshme estetike dhe artistike”. Kjo ekspozitë me titull “Stranger than Kindness – Mitrush Kuteli” qe kuruar nga artisti shqiptar Fani Zguro, i cili dje mungoi. Fituesi Lluka, i pyetur në është ndikuar nga Kuteli mohoi, ndërsa i pyetur sa e njeh shkrimtarin tha se “e kam lexuar fare pak”. Anipse vepra është krijuar enkas për ONUFRI-n, që sipas Zguros është një homazh për Kutelin, Lluka është nxitur prej poetes nga Kosova Ervina Halili.

Njoftimi i GKA-së bën me dije se metoda e punës së Llukës zhvillohet kryesisht përmes krijimit të software-ve specifike për secilën punë dhe kombinimit të regjistrimeve zanore në terren (field recordings), tingujve elektronike, instrumenteve akustike (violonçel, kontrabas, piano etj., shpeshherë të përdorura me shumë distorsion) dhe poezisë. Ilir Lluka ka publikuar 5 albume & singles lëshuar prej etiketash diskografike në Itali, Gjermani, Angli, Norvegji, Francë dhe Spanjë.

Muzika e tij është përshkruar si “një udhëtim mendor i thellë, atmosferik dhe surreal në lokacione të papërcaktuara”. Iliri ka kompozuar muzikë për instalacione dhe kinema eksperimentale, ka prezantuar punime dhe performuar live në galeri arti dhe hapësira kulturore në Shqipëri dhe jashtë vendit si: Muzeu Historik Kombëtar (Tiranë 2013), Kështjella e Ali Pashë Tepelenës (Himarë 2014), Galeria Heike-Strelow (Frankfurt 2016), Festivali i poezisë zanore Poesia Carnosa (Romë 2014), Festivali Main OFF (Palermo 2014), Festivali Kinis (Santorini, Greqi 2015) etj.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: