TIRANË – Deputeti i PD-së, Arben Imami, e shikon “si një plasje qelbi”, situatën e fundit politike në vend, krijuar pas akuzave publike të deputetit Tom Doshi,.

Imami pranon se nuk ka ndonjë perceptim pozitiv për z.Doshi, që “ka qënë krahu i djathtë i Edi Ramës që nga 21 Janari”, por thekson se “këtu ka plasur qelbi, plaga është hapur dhe qelbi duhet pastruar, se po qelb dynjanë, jo vetëm këtu, por edhe jashtë.”

Ish-Ministri demokrat, i ftuar në studion e “News 24” për një opinion lidhur me çështjet e hapura nga Doshi, tha se “kjo çështje gjen zgjidhje nëse Prokuroria nuk vihet nën presion dhe Kryetari i Kuvendit jep dorëheqjen. Por është presioni, ai që shohim: Sot, kryetari i Qeverisë, Rama, tha: “Kjo telenovelë do të marrë fund!” Pra, e ka dhënë verdiktin për z.Meta, përsa kohë ai është në krye të vendit.”

Sipas deputetit, “të kemi parasysh faktin se tre personat kryesorë që duhet të flisnin me gjuhën e ligjit, flasin gjuhën – jo gjuhën, por zhargonin e mafies – nuk mbajtën shënim, nuk hapën çështje. Këta sillen si mafiozë,- tha ai, – çojnë mesazhe. Ministri i Brendshëm, ditën që e merr vesh nga z.Doshi, shkon tek Meta dhe i thotë që ai të akuzon për vrasje…Ai tjetri shkon te tjetri… Kjo është çështje tipike mafioze. Prej 6 muash ata e mbajtën fshehur çështjen dhe sapo ajo u hap, u mblodhën prapë sëbashku. Këta sa dolën nga Prokuroria, u takuan dhe e quajnë këtë mëse normale. Ky është klan mafioz që po ndan territoret. Ndaj shqiptarët u mblodhën sot,” – theksoi Imami.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb