Spitali Amerikan, në bashkëpunim me Fondacionin Liechtenstein-Medel në partneritet me Universitetin e Vjenës, Austri, kanë nënshkruar marrëveshjen e rëndësishme për t’i ardhur në ndihmë pacientëve me probleme dëgjimi.

Këta pacientë do të përfitojnë falas këtë mundësi të shumëpritur për t’ju rikthyer sërish jetës normale dhe dëgjimit të plotë. Ekipi i specializuar i mjekëve në Spitalin Amerikan, në bashkëpunim me kirurgët e shquar të Universitetit të Vjenës do të realizojnë implantet kokleare në pacientët me ulje degjimi te grades se rende. Këto ndërhyrje do të realizohen falas nga mjekët dhe nga spitali, gjithashtu nga fondacioni i familjes mbretërore së Liechtenstein, i cili do të dhurojë implantet.

Sipas Dr. Edlir Shytaj, kirurg otorinolaringolog pranë Spitalit Amerikan, pacientët kandidatë për të përfituar këtë implant koklear duhet të jenë në përputhje të plotë me kushtet e kërkuara nga protokolli ndërkombëtar i implantimit të caktuara nga mjekët specialist ORL dhe audiologë.

Implanti koklear, i cilësuar si mrekullia që sjell “tingullin” në veshin e paaftë, prej vitesh nuk është më utopi.

Spitali Amerikan, i pari në vend, që prej 6 vitesh realizon implantet kokleare, të cilat kanë rezultuar të gjitha të suksesshme, në pacientë fëmijë e të rritur.

Kjo marrëveshje, do të sjellë rilindjen edhe njëherë të shpresës për ata pacientë me probleme të dëgjimit; të diagnostikuar me ulje dëgjimi (hipoakuzi) të lindur, nga shkaqe gjenetike, traumatike ose infeksione të ndryshme.

Spitali Amerikan, provon dhe dëshmon sërish që ka një ndjeshmëri të madhe për zgjidhjen e problemeve të shëndetit, gjithashtu mbetet në pararojë të zhvillimeve të reja dhe më të rëndësishme jo vetëm në historinë e mjekësisë në vend, por edhe në rajon.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb