TIRANË- Shoqëria civile ka zhvilluar sot një takim në Kuvend me përfaqësues të maxhorancës për ligjin e Importit të Mbetjeve. Në fund të këtij takimi deputeti socialist, Taulant Balla tha se do të vazhdojë procesi i dëgjesave e më pas do të shqyrtohet dekreti i Presidentit Bujar Nishani deri tek rivotimi në parlament.

Ndërsa kreu i komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, një nga iniciatorët e ligjit, Eduart Shalsi e cilësoi takimin dhe më tej, një fitore që ka të bëjë me sensibilizimin, që menaxhimi i mbetjeve është një moment madhor që duhet parë si një sfidë që nuk mund të fitohet nga politika por nga gjithë shoqëria.

“Kemi realizuar një ligj që përafron legjislacionin shqiptar me atë të BE-së. Do vazhdojmë procesin e dëgjesave që në momentin e duhur të merret në shqyrtim dekreti i presidentit dhe të votohet në Kuvendin e Shqipërisë”, tha Balla.

Shalsi shtoi se është vendosur për kuotat që do të përpunohen dhe importohen në Shqipëri.

“Tashmë me këtë propozim kemi një diskutim si asnjëherë më parë për plehrat ose mbetjet në Shqipëri. Vazhdojmë të dëgjojmë pavarësisht se me një pjesë të shoqërisë civile nuk biem dakord jemi dhe kemi qenë të hapur për çdo lloj iniciative që do t’i shërbejë menaxhimit të mbetjeve. Kemi vendosur për kuotat mes asaj që do të përpunohet dhe importohet në Shqipëri. Jemi të hapur për diskutimin”, deklaroi Shalsi.

Ai tha se ‘gjithashtu po shihet mundësia për heqjen e ngarkesave fiskale për ricikluesit.
“Duam të incentivojmë grumbullimin e mbetjeve në vend. Ky ka qenë fokusi dhe mbetet sfida jonë. Shtyjmë bashkitë që të përshpejtojnë ndarjen e mbeturinave në burim. Jemi gati për ndihmë. Unë do të doja bashkë me kolegët e mi të ftonim cilindo specialist apo të shqetësuar për të sugjeruar, për të komentuar dhe jemi në kohë dhe të hapur për çdo lloj sugjerimi që i shërben qëllimit madhor pastrimit të Shqipërisë. Jemi gati të hapim një kapitull të ri si me reformën territoriale. Falënderojmë të gjithë faktorët dhe ftojmë edhe pjesën tjetër të shoqërisë civile. Si kurrë më parë është zhvilluar një diskutim madhor. Sfida qëndron para të gjithëve ne për të kuptuar cilat janë politikat më të mira që duhet të implementohen”, tha Shalsi.

I pyetur për propozimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha për moratorium për importin e plehrave deri sa qytetarët të shprehen me referendum, Shalsi tha se ‘po diskutojmë çështje serioze’.

Ndërkohë PDIU do ketë takime me grupet e interesit në fundjavë për të vendosur qëndrimin e saj ndaj ligjit, pasi në votimin e parë u larguan nga salla në mënyrë demonstrative.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: