TIRANE- Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit është mbledhur ditën e sotme për të vendosur mbi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri.

Prej orës 11:00 Prokurorët i janë përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të Këshillit si dhe të ish-minsitrit Saimir Tahiri, i cili në këtë seancë shoqërohet nga avokati i tij Artan Hajdari.

Por në orën 14:15 pas seancës pyetje-përgjigje është vendosur që mbledhja të vijojë pa praninë e mediave, në mënyrë që prokuroria të paraqesë në Këshill provat të cilat i cilësojnë sekrete. Pas kësaj faze, do të parashtrohet qëndrimi i palës mbrojtëse, e më pas dhjetë anëtarët e Këshillit, pesë nga maxhoranca dhe pesë nga opozita, do të hartojnë raportin për t’ia paraqitur seancës parlamentare.

Kërkesën për mbledhje me dyer të mbyllura, prokurori Besim Hajdarmataj e ka bërë që në nisje të mbledhjes, por kjo kërkesë u rrëzua nga deputetët.

“Ne kemi përgatitur edhe deklaratat për ruajtjen e sekretit. Kemi informacione që vijnë nga strukturat ligjzbatuese të vendit ku flitet për struktura kriminale dhe për emra personash që nuk duhet të bëhen publike”, u shpreh prokurori Hajdarmataj.

Gjatë diskutimeve, Partia Socialiste vlerësoi se arrestimi i Saimir Tahirit po kërkohet vetëm përmes lajmeve që kanë dalë në portale. Deklaratën e bëri sot në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Ulsi Manja, kreu i Komisionit të Ligjeve.

Por prokurori tha se kërkesës për autorizim pë hetim i bashkëngjitet materiali i ardhur nga autoritetet italiane direkt.

Pas vendimit të Këshillit, nëse pranohet kërkesa e Prokurorisë pritet një seancë parlamentare ku do të votohet nga parlamenti për heqjen e mandatit të Tahirit.

Ish-ministri akuzohet nga Prokuroria për Krime të Rënda për dy vepra të rënda penale, atë të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”.

Referuar Kodit Penal dhe neneve për këto vepra penale, ish-ministri, të cilit pritet t’i hiqet edhe imuniteti rrezikon maksimumi 32 vjet burg, dhe minimumi i caktuar në Kod për këto vepra, është 14 vjet burg.

Dje prokuroria për Krime të Rënda i kërkoi Kuvendit t’i heqë imunitetin e deputetit Saimir Tahiri pas hetimeve të kryera në bashkëpunim me autoritetet italiane për bandën e Habilajve.

Në bazë të të dhënave të përftuara në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë dhënien e autorizimit për “arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal e të banesës” për deputetin Saimir Tahiri.

MARRËDHËNIET TAHIRI-HABILAJ
Ora 14:15 Pas tre orësh seancë pyetje përgjigje mes deputeteve dhe prokurorëve, dhe më pas mes Saimir Tahirit dhe prokurorëve, kreu i Këshillit të Rregullores, Gramoz Ruçi ka kërkuar 10 minuta pushim, dhe më pas vijimin e seancës pa praninë e mediave në mënyre që Prokuroria e Krimeve të Rënda të nxjerrë provat. Sipas Ruçit seanca do të rinisë pa praninë e mediave, pasi siç thanë edhe Prokurorët, ka të dhëna sekrete që nuk mund të dalin në publik. Ndërkohë, pak para se të mbyllej mbledhja, deputeti Saimir Tahiri u largua salla.
Ora 13:10- Dhurata Çupi: A mendoni që marrëdhënie e ish-ministrit të brendshëm me Habilaj janë të konsoliduara?

Prokuroria: Dyshimi i ngritur për ekzistencën e fakteve penale është që ekziston një marrëdhënie e konsoliduar. Ka pasur dhe ka nën hetim punonjës policie me detyra të caktuara por për të ruajtur sekretin hetimor nuk mund të shprehemi për këtë.

HYSI: ÇFARË KËRKONI TË GJENI NË BANESË? PROKURORI: NUK MUND TA THEM
Ora 13:00Hysi: Lidhur me dy procedimet e mëparshme cilat janë provat që e implikojnë zotin Tahiri në 2014 dhe në 2016?
Prokurori: Në të dy procedimet nuk e kemi regjistruar emrin e zotit Tahiri si person në kërkim.

Ju keni kërkuar leje për kontroll në banesë. Çfarë kërkoni të gjeni në banesë?
Nuk mund ta them, profesionalisht nuk është e lejueshme.

Nuk dua provat konkrete. Çfarë ka mbetur pa provuar?
Nuk mund ta them.

Hysi: Duhet të keni një dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova. Ju e keni regjistruar bazimin e 3 procedimeve më 17 tetor, 24 orë më pas keni bërë një kërkesë porosi autoriteteve italiane dhe ju kanë sjellë një pjesë. Në materialet që keni përkthyer, a ka prova që e implikojnë zotin Tahiri.
Ymeri: Në relacionin që i kemi dorëzuar kuvendit përmendet ekzistenca e dyshimit të arsyeshëm. Nuk mund të përgjigjemi se çfarë do të bëjnë autoritetet italiane të drejtësisë me çështjen penale në ndjekje. Ka disa të dhëna që na krijojnë dyshimin e arsyeshëm të faktit penal dhe një autor të mundshëm të faktit penal.

Ju e keni thënë në relacion që në dijeninë e këtyre detajeve rezulton që me veprime aktive dyshohet të ketë vepruar edhe ish-ministri i Brendshëm. Cilat janë këto veprime?
Është përcaktuar dhe është bërë një tablo se cili ka qenë mekanizmi i ngjarjes. Në mënyrë të detajuar, kam përshtypjen që është moment që duhet të përballemi në gjykatë, nëse ekziston apo jo.

Hysi: Për Prokuroren, në bazë të Kushtetutës, të Konventës, mendoni ju që informacioni që keni dhënë ju në relacionin që kërkoni autorizimin për ndalimin, a ka dyshim të arsyeshëm.
Nuk po e marr si intimiduese. Nuk kemi ardhur për t’u tërhequr. Nuk lidhet me atë çfarë unë personalisht mund të mendoj por me një konkluzion të një grupi prokurorësh. Faktet e bazuara në ligj i kemi thënë.

TAHIRI DEL JASHTË
Ora 12:25- Ndërsa Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve vijon seancën për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë për të proceduar me arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri i ka lejuar vetes një pushim të shkurtër. Ai ka folur diçka me avokatin dhe më pas ka lënë sallën. “BalkanËeb” ka siguruar videon e momentit kur Tahiri shkëputet nga tryeza e mbledhjes dhe del jashtë. Pasi qëndron përreth 5 minuta jashtë, deputeti i PS-së kthehet në sallë për të dëgjuar seancën e pyetje-përgjigjeve me prokurorët e Krimeve të Rënda.

ALIBEAJ PËRPLASET ME RUÇIN
Ora 12:10- Pas pyetjeve të deputeti socialist Ulsi Manja ndaj prokurorit të çështjes “Tahiri”, Besim Hajdarmataj për procedimin penal të nisur nga ish-ministrit, deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj i ka ‘akuzuar’ se po bëhen avokatë të tij. Ai tha se nuk duhet t’i futen çështjes në themel, pasi atë e diskuton gjykata duke iu tërhequr vëmendjen. Por nga ana tjetër kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se kjo është procedura dhe nëse nuk mund të përgjigjet, atë mund ta thotë prokurori.

Alibeaj: Pyetjet e kolegut i drejtohen prokurorisë duke iu futur në themel çështjes. Sa dokumente ka. A ka ndjekur apo jo procedurën e letër-porosive etj. Ju kujtoj se kjo është çështje që diskutohet në gjykatë. Këtu në këshillin e mandateve dhe rregullores shqyrtohet një gjë, a ka një kërkesë drejtuar Kuvendit? A ka nisur procedimi penal nga ana Prokurorisë? Zotërinjtë atje a janë prokurorë? Nëse keni marrë përsipër të bëheni avokatë të Saimir Tahirit ja ku keni. Për t’i ruajtur imazhin këtij parlamenti duhet të zbatoni rregulloren.

Ruçi: Jemi në një procedurë dhe është kjo. Është pala që ka parashtruar kërkesën dhe jemi në momentin që ne bëjmë pyetje dhe ata të japin përgjigje. Askujt nuk i mohohet e drejta e pyetjes dhe askujt për t’u përgjigjur brenda materialit. Nuk mund të mësojmë njeri-tjetrin a është pyetje kjo apo nuk është. Prokurori është më i aftë se ju dhe unë dhe mund të thotë. Debatin do ta vazhdojmë ne.

MBLEDHJA E KESHILLIT TE MANDATEVE DHE RREGULLORES

ORA 12:35 PYETJET NGA ULSI MANJA

1- Cila është baza e regjistrimit penal në ngarkim të deputetit Tahiri, kur e keni regjistruar dhe në ç’datë e keni regjistruar emrin e deputetit Tahiri në regjistrin e veprave penale?

Hajdarmataj: 17.10.2017 kemi regjistruar procedimin penale. E kemi regjistruar duke iu referuar të dhënave të dala tashmë të bëra publike nga ana e mediave. Duke pasur parasysh, nenin 287 të kodit të procedurës penale prokurori në çdo rast kur konstaton se është kryer një vepër penale dhe është në kompetencën e tij ka kompetencën ta shqyrtojë kryesisht veprën penale. Ne nuk kishim çfarë prisnim më, kur në mediat e Shqipërisë ishte publikuar një material për një grup kriminal. Gjatë gjithë veprimtarisë së Prokurorisë, kur kemi konstatuar se ka pasur raste të trafikimit të lëndëve narkotike, me çdo lloj mënyre, pavarësisht se nuk janë në vendin tonë, kemi nisur procedim penal kryesisht. Pastaj është momenti tjetër që të shkëmbejmë informacione dhe të dhëna për të proceduar ndaj personave që janë shtetas shqiptarë dhe që e kemi të qartë që trafikimi është kryer nga Shqipëria drejt Italisë, çfarë na bën kompetentë për të nisur një procedim kryesisht. Kjo ka qenë edhe baza mbi të cilën kemi filluar procedimin.

2- Ju keni nisur procedimin penal mbi atë që është thënë në gazeta dhe media, pra asnjë veprim hetimor. Pyetja ime është e thjeshtë, jeni në dijeni ju z. Prokuror që Kuvendi i Shqipërisë me nismën tonë, ka bërë kufizimin e imunitetit të deputetit karshi veprave penale të korrupsionit? Kush iu ka penguar të zhvillonit veprime proaktive për të konkluduar në mbledhjen e provave dhe fakteve?

Hajdarmataj: Askush. Ne jemi duke vijuar hetimin. Regjistrimi i procedimit është bashkuar me dy procedime të tjera, që i kishim të nisura. Ne kemi harmonizuar secilën provë me njëra tjetrën dhe kemi arritur në këtë bindje. Po vazhdojmë veprimtarinë hetimore në çdo moment.

3- Deklaruat pak më parë që jeni në bashkëpunim me të huajt për vazhdimin e procedimit. Në çfarë forme keni proceduar me autoritetet italiane? Keni marrë për referencë një material përgjimi të gazetës italiane në ngarkim të shtetasit dhe deputetit Saimir Tahiri?

Hajdarmataj: Në çdo lloj forme, kur flasim për një shkëmbim informacioni i referohemi kodit të procedurës penale. Që me datë 18.10 i jemi drejtuar autoriteteve italiane, por për shkak të volumit, po përgatitet dhe pjesa tjetër e materialitet që lidhet me këtë. Kemi një material në atë fazë që na është sjellë dhe presim materialin tjetër

4- I jeni drejtuar një letër, materialin e gazetës keni apo atë që ju ka sjellë pala italiane?

Hajdarmataj: Kemi një material në gjuhën italiane, që ne po vazhdojmë përkthimin. Kemi përkthyer momentet ku implikohet deputeti Saimir Tahiri, se aty ka shumë persona të përfshirë. Ka ardhë në rrugë zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme.

ORA 11:25 SEANCË ME DYER TË MBYLLURA PËR TAHIRIN? DEPUTETËT “RRËZOJNË” PROKURORINË
Mbledhja për shqyrtimin e mandatit të Tahirit nuk po gjen konsensus që në fillim. Prokuroria kërkon mbledhje me dyer të mbyllura duke qenë se disponon materiale që i konsideron sekrete për hetimin, ndërkohë që deputetët e mazhorancës dhe opozitës kërkojnë që mbledhja të mbahet me dyer të hapura sepse përbën interes publike.

Deputetja socialiste Vasilika Hysi ka pyetur nëse ka prova të reja për të cilat ata nuk janë në dijeni.

Prokurori Besim Hajdarmataj ka pranuar të parashtrojë kërkesën e procedimit me dyer të hapura, duke hequr dorë nga kërkesa e tij.

11:20 Prokurori Besim hajdarmataj ka kërkuar që kjo mbledhje të zhvillohet me dyer të mbyllura. Këtu do të paraqesim prova dhe do të ketë përballje”, u shpreh Prokurori.

11:17 Demorati Enkelejd Alibeaj ka ndërhyrë duke u shorehur se “pala mbrojtëse pati kohë të prishë provat.

11:14 Deputeti socialist Blendi Çuçi tha se palët duhet të lejohen të parashtrojnë pretendimet e tyre.

11:05 Nis mbledhja e Keshillit. Sajmir Tahiri perfaqesohet nga avokati Artan Hajdari.

10:55 Sajmir Tahiri futet ne seline edhe kryesise se Kuvendit. “Nuk prisni dot edhe pese minuta”, iu drejtua Tahiri gazetareve. Nderkohe, dhjetra qytetare jane mbledhur para kryesise ku e kane pritur ate me brohoritje.

10:50 Deputeti i LSI-se, Nasip Naco deklaroi se vota e tij ne Keshill nuk do te jete mburoje, por do ti hape rruge organeve te Drejtesise, cka do te thote se do te votoje pro arrestimit.

Ora 10:48 Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruci perfundon takimin me kryeministrin Rama ne zyren e ketij te fundit dhe vjen ne kryesine e Kuvendit.

Ora 10:30 Ish-ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri ka dalë nga shtëpia në orën 10:35 për tiu drejtuar në kryesinë e Kuvendit, ku në orën 11:00 do të diskutohet kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e tij.

(m.k/el.sp/e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: